Masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit kanë goditur rëndë ekonominë e vendit.
Administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku në një lidhje direkte për emisionin “7pa5” në “Vizion Plus” deklaroi se efektet dhe dëmet në ekonomi dy javët e fundit të muajit mars dhe prill llogaritet mbi 2 miliardë dollarë.
Duke qenë se çdo kufizim prodhon një faturë financiare, Buxhuku tha se të gjitha bizneset janë goditur rëndë nga pandemia. Sipas tij, Shqipëria duhet të ndiqte shembullin e disa vendeve të rajonit.
Mes të tjerash, Buxhuku shtoi se kriza nga koronavirusi ka shkaktuar në tregun formal rreth 70 mijë të papunë.
“Çdo kufizim prodhon një faturë financiare dhe të gjitha bizneset janë prekur nga fakti që nuk kanë qenë të lirshme për t’u ushtruar në kohë të plotë në shtrirje gjeografike të vendit punën e tyre. Ka pasur një kategori biznesesh që kanë punuar normalisht, por kategoria më dërrmuese është e prekur mjaft rëndë. Pasojat kanë filluar që tani. Sipas shifrave zyrtare, llogariten rreth 65 mijë-70 mijë të papunë të rinj që i janë shtuar armatës së papunëve në Shqipëri. Po flasim për tregun formal, imagjino ç’ndodh me tregun informal që është pothuajsve aq i madh sa tregu formal. Kemi një numër të madh punonjësish që goditen në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha kreu i Konfindustrisë.