Bill Gates do të shpërndajë 200 miliardë dollarë për më të varfrit për dy dekada

Bill Gates do të shpërndajë 200 miliardë…

Bill Gates premtoi këtë të enjte se do të dhurojë pothuajse të gjithë pasurinë e tij gjatë dy dekadave të ardhshme.

Rreth 200 miliardë dollarë do të shkojnë për më të varfrit e botës përmes fondacionit të tij, në një kohë kur qeveritë në mbarë botën po shkurtojnë ndihmën ndërkombëtare.

Filantropi 69-vjeçar dhe bashkëthemeluesi i “Microsoft”- it tha po përshpejton planet për të ndarë pasurinë dhe për ta mbyllur Fondacionin Gates më 31 dhjetor 2045.

“Njerëzit do të thonë shumë gjëra për mua kur të vdes, por jam i vendosur që ‘vdiq i pasur’ të mos jetë njëra prej tyre”, shkroi Gates në një postim në faqen e tij të internetit.

“Ka shumë probleme urgjente që duhen zgjidhur për të mbajtur burime që mund të ndihmojnë njerëzit”, theksoi ai.

Në një koment të tërthortë drejtuar presidentit amerikan Donald Trump, për shkurtimet në ndihmën e jashtme nga Shtetet e Bashkuara, që mbeten donatori më i madh global, Bill Gates u shpreh se synon të kontribuojë në parandalimin e vdekjeve të nënave, foshnjave dhe fëmijëve nga shkaqe të parandalueshme, në luftën kundër sëmundjeve si poliomieliti, malaria dhe fruthi, si dhe në uljen e varfërisë.

Ai theksoi se përparimi në shëndetin global nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qeverive, pavarësisht buxhetit të madh të fondacionit. Ai përmendi shembullin e poliomielitit, që nuk mund të çrrënjoset pa financimin e SHBA, dhe vlerësoi disa vende afrikane që rialokuan buxhetet pas shkurtimit të ndihmave.

Fondacioni, i krijuar në vitin 2000 me Melinda French Gates dhe më vonë i bashkuar nga Warren Buffett, ka dhuruar 100 miliardë dollarë dhe ka mbështetur iniciativa të rëndësishme si Gavi dhe Fondi Global për HIV/AIDS, tuberkulozin dhe malarien.

Gates ka deklaruar se fondacioni do të mbyllet pasi të ketë shpenzuar 99% të pasurisë së tij personale dhe parashikohet të shpenzojë rreth 200 miliardë dollarë deri në vitin 2045.

Ai ka bërë thirrje që edhe njerëzit e pasur të kontribuojnë më shumë për të përshpejtuar përparimin për më të varfrit në botë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit