
Franca po planifikon ndërtimin e një aeroplanmbajtëseje bërthamore të gjeneratës së re, të quajtur Porte-Avions de Nouvelle Génération (PA-NG), e cila synon të bëhet anija luftarake më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në Europë. Projekti pritet të miratohet në fund të vitit 2025 dhe ndërtimi të fillojë në fillim të viteve 2030, me hyrjen në shërbim të planifikuar për vitin 2038. PA-NG do të zëvendësojë aeroplanmbajtësen aktuale franceze Charles de Gaulle, që është në shërbim që nga viti 2001.
PA-NG do të ketë përmasa mbresëlënëse: 78 mijë tonë peshë, 310 metra gjatësi dhe 85 metra gjerësi. Pajisur me dy reaktorë bërthamorë K22 me kapacitet 220 megavatë secili, anija do të përfshijë teknologji të avancuar si tre sisteme elektromagnetike për lëshimin e avionëve dhe tre sisteme ndalimi, të ngjashme me ato të klasës Gerald R. Ford të Marinës Amerikane. Pista e saj do të shtrihet në një sipërfaqe prej 17 mijë metrash katrorë dhe do të strehojë mbi 40 mjete ajrore, përfshirë avionë luftarakë, helikopterë dhe dronë.
Për vetëmbrojtje, PA-NG do të pajiset me 24 raketa Aster, topa Bofors 40 mm dhe sisteme Simbad-RC me raketat Mistral 3. Ndërkohë, aeroplanmbajtësja aktuale Charles de Gaulle mund të qëndrojë funksionale deri në vitin 2048 për të mbuluar çdo vonesë të mundshme në ndërtimin dhe hyrjen në shërbim të PA-NG.