
Pas shpërthimit me tritol të hotel “Bizanti” në Sarandë, që u hodh në erë mëngjesin e 13 shkurtit, u arrestua autori i dyshuar Sotir Çabiri. Ekspertiza paraprake që xhenierët e RENEAS kanë kryer në vendngjarje ka dalë në përfundimin se Çabirit iu deshën të paktën 2 ditë për të montuar tritolin në kollonat e subjektit.
Hetuesit dyshojnë se për hedhjen në herë të godinës janë përdorur mbi 10 kg eksploziv, ndërsa autoritetet po punojnë për të mësuar se ku e siguroi lëndën plasëse autori i dyshuar dhe nëse ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë që e kanë ndihmuar në ndërmarrjen e këtij akti.
37-vjeçari e ka mohuar autorësinë, por policia thotë se ai vendosi eksplozivin pasi babai i tij, Spiro Çabiri, humbi 90% të pronësisë së hotelit pas një procesi gjyqësor me ortakun Dhimitër Evangjeliu.
Kujtojmë se shpërthimi me lëndë plasëse ka shkaktuar dëme të mëdha në fasadat e dhjetëra bizneseve dhe qindra banesave përreth deri në 300 metra largësi. Hoteli ndodhej në vijën e parë të bregut të detit dhe ishte ndërtuar prej vitit 1996.