Të krijosh një biznes në Shqipëri është bërë shumë e vështirë, për shkak të detyrimeve ligjore dhe taksave që duhen paguar ndaj institucioneve ligjore.
Për këtë arsye, në një kohë kur jemi në fushatë zgjedhore, bizneset kanë disa kërkesa për qeverinë e re që do të vijë në pushtet pas 11 majit.
Mes kërkesave që u prezantuan në një dalje për mediat nga Nikolin Jaka, që është Kreu i Dhomës Tregtare, janë krijimi i një sistemi të ri fiskal, ku të rikthehet taksa e sheshtë. Kjo sipas biznesmenëve do të krijonte më shumë vende pune dhe do të ulte barrën e bizneseve dhe qytetarëve, kur bëhet fjalë për TVSh-në e produkteve.
Një propozim tjetër sa i takon sektorit të Turizmit lidhet me vendosjen e bakshishit të detyruar njëjtë si në ShBA, dhe subvencion për pagat e punonjësve të këtij sektori edhe kur janë jashtë sezonit turistik. Sipas ekspertëve, bakshishi i detyruar lehtëson xhiron e biznesit, duke i dhënë mundësi klientëve që të shpërblejnë stafin shërbyes.
Përfaqësuesit e bizneseve kërkojnë gjithashtu që të ardhurat deri në 1 500 euro të mos taksohen.
Ndërsa për ndërtimin, kërkohet ulja e taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe rishikimi i taksës së rivlerësimit të pronave.