Jemi pak javë nga hapja e zezonit turistik në vendin tonë dhe ajo që vihet re është mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e shërbimeve si hoteleri, piceri, bar-kafe etj.
Por duket se pronarët e kanë gjetur zgjidhjen e këtij problemi te punësimi i fëmijëve. Sipas shifrave të Inspektoratit të Punës, gjatë vitit që lamë pas kanë qenë të punësuar 215 fëmijë. Ky është vetëm numri zyrtar i të miturve që kanë qenë në punë, pasi ata që punojnë në sektorin informal mund të jetë dhe më i madh.
Kryesisht këta të mitur kanë punuar në bizneset turistike gjatë sezonit veror, kjo pasi sipërmarrësit po vuajnë gjetjen e fuqisë punëtore. Adoleshentët e moshës 16-vjeçare e shikojnë këtë mënyrë jetese si një mundësi për të mbledhur të ardhurat që u duhen për nevojat e tyre.
Por sipas Inspektoratit të Punës, punësimi i të miturve dhe adoleshentëve gjithmonë duhet të jetë sipas rregullave, ku ata nuk mund të punojnë më shumë se 6 deri në 8 orë. Fëmijët duhet të pajisen me një raport nga mjeku për të mësuar gjendjen e tyre shëndetësore përpara nisjes së një pune, dhe gjithmonë duhet të bëjnë punë të lehta. Për të punësuar një fëmijë sipas rregullave, ndaj tij duhet të lëshohet një autorizim i posaçëm nga Inspektorati i Punës.
Përveç rasteve që përmendëm më lart, ka raste kur fëmijët punojnë në ndërmarrje prodhuese si punishtet, fabrikat dhe serat të cilat mund të konsiderohen punë të vështira. Në këto raste rregullat shkelen dhe kjo mund të jetë shqetësuese për zhvillimin e fëmijëve. Një vit më parë 52 raste të tilla u identifikuan, dhe për të parandaluar keqpunësimin e të rinjve, ajo që duhet të bëjnë institucionet është të shtojnë kontrollet në biznese.