Biznesi-qeverisë: S'ka punëtorë, hapni ambasadë në Indi dhe Bangladesh

Biznesi-qeverisë: S’ka punëtorë, hapni ambasadë në Indi…

Emigrimi masiv, kryesisht I të rinjve është kthyer në një gjë e zakonshme në Shqipëri që nuk po gjen fund, përkundrazi largimi I shqiptarëve po shtohet sapo atyre t’u jepet mundësia. Rroga të ulëta, korrupsioni, mungesa e infrastrukturës rrugore, cilësia e ulët e shërbimit në arsim e shëndetësi, keqqeverisja, klasat politike ja në këto disa nga arsyet pse të rinjtë për një jetë më të mirë lënë familjen e tyre dhe I drejtohen kurbetit, në shumë raste edhe duke rrezikuar jetën.

Shqipëria nuk është një vend në luftë, por ikja masive e shqiptarëve e bën si një të tillë. Dhe kjo hemorragji që nuk po gjen të ndalur, po kërcënon punën e bizneseve, pasi mungesa e fuqisë punëtore bën që një sipërmarrje të mos vijojë si duhet aktivitetin e saj. Shumë biznese nuk po sigurojnë dot punëtorë pasi të gjithë thuajse janë larguar.

Sokol Kraja, sipërmarrës, gjatë një intervistë për një emision televiziv i ka bërë thirrje qeverisë që të hapë ambasada në vendet e largëta, vetëm për një qëllim, për të rekrutuar punonjës të huaj. “Punonjësit po largohen çdo ditë. Në këto kushte i bëj thirrje qeverisë që të hapë ambasada në Indi dhe Bangladesh. Janë vende me popullsi të lartë dhe me një fuqi punëtore që mund të amortizojë hendekun në tregun tonë. Vendi ynë do të vijojë të vuajë nga emigrimi i mëtejshëm dhe kjo po sjell kosto për biznesin”, – u shpreh Kraja.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit