Biznesmeni denoncon ndërtuesin: Më detyrohet 60 mijë euro!

Biznesmeni denoncon ndërtuesin: Më detyrohet 60 mijë…

Një sipërmarrës në fushën e hotelerisë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një konflikt me Gentian Berdellimën, të cilin e identifikon si sipërmarrës ndërtimi të lidhur me kompaninë GB Energy SHPK. Biznesmeni pretendon se i ka besuar rikonstruksionin e hotelit të tij në Sarandë, por vonesat në përfundimin e punimeve i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.

Denoncuesi tregon se në fillim të bashkëpunimit është hartuar një preventiv me vlerë 39.500 euro, ndërsa për nisjen e punimeve është paguar një paradhënie prej 10.000 eurosh.

Sipas tij, gjatë procesit kanë nisur problemet me ecurinë e punimeve, të cilat shoqëroheshin me vonesa të vazhdueshme. Ai pretendon se ka konstatuar edhe probleme me pagesat e punëtorëve, duke u detyruar të paguajë vetë disa prej tyre. Për të mos e lënë rikonstruksionin të bllokuar, biznesmeni shprehet se ka kërkuar edhe grupe të tjera pune për të përfunduar ndërhyrjet.

Pasojat, sipas tij, kanë qenë veçanërisht të rënda për shkak të humbjes së pjesës më të rëndësishme të sezonit turistik veror. Hoteli, të cilin e ka marrë me qira, është hapur vetëm më 10 gusht 2026, kur pjesa më e madhe e sezonit kishte kaluar.

Biznesmeni thotë se investimi ishte financuar përmes kredive dhe se këstet kanë vijuar të paguhen edhe gjatë periudhës kur hoteli nuk mund të funksiononte normalisht. Kjo situatë, sipas tij, ka sjellë humbje të konsiderueshme dhe vështirësi në përmbushjen e detyrimeve financiare.

Aktmarrëveshja noteriale për 60 mijë euro

Në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen, sipërmarrësi thotë se së bashku me Gentian Berdellimën kanë nënshkruar një aktmarrëveshje noteriale në Tiranë, ku është përcaktuar shuma prej 60.000 eurosh për detyrimet dhe dëmet e lidhura me këtë çështje.

Sipas denoncuesit, afati i përcaktuar për shlyerjen e shumës ishte fundi i muajit gusht 2026, por ai pretendon se deri më tani nuk ka marrë asnjë pagesë.

Qytetari i ka vënë në dispozicion redaksisë së JOQ Albania dokumentacionin përkatës, përfshirë preventivin, provat e pagesave dhe aktmarrëveshjen noteriale, për të mbështetur denoncimin e tij.

Përmes këtij publikimi, ai kërkon që rasti të bëhet publik dhe të shërbejë si një sinjal kujdesi për qytetarët e tjerë që u besojnë sipërmarrësve punime ndërtimi apo rikonstruksioni, veçanërisht kur bëhet fjalë për investime me vlera të konsiderueshme.

JOQ Albania i lë të hapur mundësinë Gentian Berdellimës dhe kompanisë GB Energy SHPK për të dhënë versionin e tyre lidhur me këtë çështje.

<iframe width=”337″ height=”599″ src=”https://www.youtube.com/embed/xyl7iatgpBA” title=”Biznesmeni denoncon ndërtuesin: Më detyrohet 60 mijë euro!” frameborder=”0″ allow=”accelerometer; autoplay; clipboard-write; encrypted-media; gyroscope; picture-in-picture; web-share” referrerpolicy=”strict-origin-when-cross-origin” allowfullscreen></iframe>

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit