Oligarku Rrok Gjoka u paraqit këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku qëndroi për rreth tre orë, pa dhënë asnjë shpjegim për mediat pas daljes. As SPAK nuk ka bërë publik motivin e thirrjes, duke lënë pa përgjigje pyetjet mbi arsyen e marrjes në pyetje të një prej emrave të lidhur me një nga tenderët më të debatueshëm të viteve të fundit.
Emri i Gjokës është përmendur në dosjen e tenderit të tunelit të Llogarasë, një projekt me vlerë mbi 200 miliardë lekë, i cili është kthyer në qendër të debatit publik. Kompania e tij u shpall fillimisht fituese e tenderit, por procedura u anulua dhe kontrata iu dha një konsorciumi turk me një ofertë rreth 50 milionë euro më të lartë. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e punimeve u realizua nga kompania e Gjokës si nënkontraktore. Ndërkohë, SPAK ka marrë të pandehur ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera lidhur me këtë projekt.
JOQ Albania e ka denoncuar vazhdimisht problematikën e tunelit të Llogarasë, duke publikuar pamje që kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi cilësinë e punimeve, vetëm pak kohë pas përfundimit të projektit. Në videot e dërguara nga qytetarët janë evidentuar rrjedhje të shumta uji nga tavani i tunelit, çarje dhe probleme të tjera që kanë nxitur shqetësime për sigurinë e përdoruesve, pavarësisht kostos shumë të lartë të investimit.
Pikëpyetjet nuk lidhen vetëm me cilësinë e veprës, por edhe me procedurat e tenderimit. SPAK ka marrë të pandehur ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera lidhur me këtë projekt. Në këtë kontekst, paraqitja e Rrok Gjokës në SPAK shton interesin për ecurinë e hetimeve, ndërsa publiku pret më shumë transparencë për një investim që ka kushtuar qindra milionë euro dhe ka ngritur prej kohësh debate të forta.
Hetimet e SPAK kanë ngritur dyshime për manipulim të tenderit në favor të konsorciumit fitues, ndërsa paraqitja e Gjokës në Prokurorinë e Posaçme shton interesin për zbardhjen e plotë të kësaj dosjeje. Deri tani nuk dihet nëse biznesmeni është thirrur pikërisht për këtë çështje apo për një hetim tjetër, ndërsa mungesa e transparencës nga organi i akuzës lë ende shumë paqartësi.