Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë sekuestruar disa pajisje gjatë kontrollit në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Efektivët kanë ushtruar kontroll në banesën e tij në rrugën “Frosina Plaku”, pranë shkollës “Gustav Mayer”, ku gjatë aksionit është parë edhe një automjet i zi i BKH-së dhe një patrullë e policisë “Shqiponja”.
Gjatë kontrollit, BKH ka sekuestruar telefonin e Prodës, një laptop, si dhe disa pajisje të tjera elektronike, përfshirë USB dhe CD. Pajisjet pritet të jenë pjesë e verifikimeve të prokurorëve në kuadër të hetimit, ndërsa përmbajtja e tyre do t’i nënshtrohet analizës.
Kontrollet e SPAK dhe BKH-së janë zhvilluar mëngjesin e sotëm në disa banesa në Tiranë, përfshirë ato të drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, të Ilir Prodës dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë. Aksioni dyshohet se lidhet me një fraksion të dosjes së AKSHI-t, ndërsa hetimi është zgjeruar pas komunikimeve të gjetura në telefonat e Ergys Agasit dhe Uljan Shpatarakut.