
Prodhimi i bulmetit dhe mishit bie ndjeshëm, ndërsa rritet presioni për çmime më të larta për shkak të kërkesës turistike
Sektori i blegtorisë në Shqipëri po përjeton një rënie të vazhdueshme, si në numrin e kafshëve ashtu edhe në prodhimin e nënprodukteve. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë një ulje të ndjeshme në pothuajse të gjitha kategoritë e bagëtive dhe shpendëve për vitin 2024, në krahasim me një vit më parë. Kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në prodhimin e mishit, qumështit dhe vezëve, duke rritur presionin për rritje çmimesh në një kohë kur kërkesa është në rritje për shkak të zhvillimit të turizmit dhe rolit të produkteve blegtorale në kuzhinën tradicionale shqiptare.
Sipas statistikave, ndonëse numri total i gjedhëve është rritur me 3,3%, rënia e numrit të lopëve me 3,5% ka ndikuar në uljen e prodhimit të qumështit. Nga 232 mijë krerë në 2023, numri i lopëve ka zbritur në 224 mijë gjatë vitit 2024. Një rënie e përgjithshme prej 2,5% është shënuar edhe te të leshtat, me delet që përbëjnë pjesën më të madhe të kësaj kategorie duke rënë me 3,8%.
Edhe kategoria e të dhirtave nuk ka mbetur jashtë kësaj tendence. Në vitin 2024 janë regjistruar 615 mijë krerë, me një ulje 3,9% në krahasim me 640 mijë të një viti më parë. Brenda saj, numri i dhive është tkurrur me 2,2%. Rënia më dramatike i përket kategorisë së derrave, me një ulje prej 9,4%, nga 115 mijë në 104 mijë krerë. Rënie ka pasur edhe te dosat me 9,6%.
Situata është e ngjashme edhe në sektorin e shpendëve. Megjithëse rënia në total është e lehtë, me vetëm 0,6%, ulja prej 6,6% e numrit të pulave është tregues shqetësues, duke kaluar nga 4.877 mijë në 4.557 mijë krerë. Ndërkohë, njëthundrakët kanë pësuar një rënie prej 12,2%, nga 67 mijë në 58 mijë krerë.
Në kontrast me këtë panoramë të zymtë, sektori i bletarisë po njeh zhvillim. Numri i koshereve të bletëve është rritur me 13,2%, nga 519 mijë në 587 mijë. Kjo rritje ka ndikuar pozitivisht në prodhimin e mjaltit, i cili është rritur me 5,4% krahasuar me një vit më parë.
Prodhimi i përgjithshëm i qumështit ka rënë me 2,7%, nga 900.569 tonë në 876.688 tonë. Më shumë se 84% e këtij prodhimi vjen nga lopët, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes dhive dhe deleve. Ndërsa prodhimi i mishit ka rënë me 3,8%, duke zbritur nga 135.483 tonë në 130.334 tonë. Edhe prodhimi i vezëve ka rënë lehtë, nga 894 milionë në 888 milionë njësi.
Qarku i Fierit dhe ai i Korçës kryesojnë për numrin e gjedhëve, ndërsa Vlora dhe Gjirokastra janë zonat me përqendrimin më të madh të të leshtave dhe të dhirtave. Në kategorinë e derrave, Lezha dhe Shkodra mbajnë peshën më të madhe.