Pas përfundimit të koncertit të Kanye West në Tiranë, debati është zhvendosur nga skena te organizimi i eventit. Shumica e pjesëmarrësve në rrjetet sociale kanë shtuar kritikat për mënyrën se si u menaxhua hyrja, orientimi i publikut dhe infrastruktura e koncertit.
Në platforma si Reddit dhe Instagram, shumë të pranishëm e cilësojnë organizimin si “terrible”, “disaster” apo “horrible”, duke treguar se pritën për orë të tëra në vapë, pati konfuzion me hyrjet dhe mungesë sinjalistike. Disa pretendojnë se hyrjet u hapën me vonesë, sistemi i “fast lane” nuk funksionoi dhe byzylykët identifikues u shpërndanë gabim. Të tjerë ankohen edhe për problemet me audion dhe mungesën e informacionit nga stafi.
Megjithatë, pothuajse në të gjitha komentet, performanca e Kanye West vlerësohet shumë më lart se organizimi. Disa përdorues e përshkruajnë koncertin si spektakolar, por theksojnë se eksperienca u zbeh nga kaosi para hyrjes në stadium.
Debati mori edhe një dimension politik pasi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, reagoi në rrjetet sociale duke mbrojtur organizimin e koncertit. Ai argumentoi se edhe në qytete të mëdha si Nju Jorku apo Roma organizohen evente me vonesa dhe probleme të ngjashme, ndërsa theksoi se ngritja e stadiumit dhe realizimi i gjithë projektit brenda më pak se tre muajsh ishte një arritje e jashtëzakonshme.
Sipas Gonxhes, atmosfera, pamja e stadiumit dhe pjesëmarrja e rreth 60 mijë spektatorëve tregojnë se eventi nuk mund të konsiderohet i dështuar nga pikëpamja organizative.
Në diskutimet online nuk munguan as komentet në mbështetje të ministrit dhe organizatorëve, ku disa e cilësuan koncertin si një eksperiencë unike. Por pjesa më e madhe e kritikëve nuk u bind nga këto argumente, duke këmbëngulur se problemet në hyrje, orientim dhe menaxhim ishin reale dhe ndikuan ndjeshëm në përvojën e tyre.
Ndërkohë, stadiumi i ngritur posaçërisht për koncertin ka nisur të çmontohet, pavarësisht deklarimeve fillestare se do të qëndronte për disa muaj dhe do të shërbente për organizimin e eventeve të tjera të mëdha. Debati vijon edhe për koston prej 4.3 milionë eurosh të financuar nga fondi i emergjencës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të synojë organizimin e koncerteve të ngjashme në të ardhmen.
