
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në qytetin e Vushtrrisë, ku një 19-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Viktima, Ardit Zymeri, është qëlluar rreth orës 20:35 në rrugën “Galip Badivuku” nga i dyshuari Bleon Dibrani, po ashtu 19 vjeç.
Sipas burimeve zyrtare, Zymeri është dërguar me urgjencë në Spitalin e Vushtrrisë, por mjekët kanë konfirmuar se ai kishte ndërruar jetë para mbërritjes.
Policia ka ndërmarrë menjëherë veprime hetimore, duke arrestuar të dyshuarin pak pas ngjarjes. Gjatë një bastisjeje në banesën e tij, janë sekuestruar një pistoletë, një armë e gjatë dhe tre gëzhoja, të cilat po analizohen si prova materiale.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi motivin e kësaj ngjarjeje, ndërsa hetimet po vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të krimit. Ndërkohë, prokurori i rastit ka caktuar masën e ndalimit për të dyshuarin.
Dibrani ka pranuar se është ai që ka kryer krimin, ndërkohë autoritetet vazhdojnë punën për të zbuluar shkakun që solli këtë tragjedi.