“Bleva kos te ETC-ja, doli totalisht i mykur”

“Bleva kos te ETC-ja, doli totalisht i…

Një denoncim për sigurinë ushqimore ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare në Fier, e cila raporton se ka blerë një kos me shenja të dukshme myku, pavarësisht se produkti ishte ende larg datës së skadencës.

Në pamjet e dërguara në redaksi, produkti shihet pasi është hapur dhe në sipërfaqen e kosit dallohen qartë njolla të shumta të errëta, me pamje karakteristike të mykut. Gjendja e produktit është veçanërisht shqetësuese duke qenë se bëhet fjalë për një ushqim që shitet për konsum të përditshëm.

Qytetarja thotë se produkti është blerë mbrëmjen e sotme në supermarketin ETC në qytetin e Fierit dhe pretendon se, në momentin e blerjes, data e skadencës ishte ende rreth një muaj larg.

Për të dokumentuar denoncimin, ajo ka dërguar edhe kuponin tatimor të blerjes, ku evidentohet artikulli “FAST KOSI 500 GR”, me vlerë 279 lekë, si dhe data dhe ora e transaksionit.

“Është një turp i madh për supermarketin ku e kemi blerë. Tregton dhe shet produkte të tilla për qytetarët”, shprehet denoncuesja në videon e dërguar në redaksi.

Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi ruajtjen, kontrollin dhe kushtet e ekspozimit të produkteve ushqimore, veçanërisht për produktet e freskëta që kërkojnë kushte të përshtatshme frigoriferike.

Nëse një produkt i tillë ka qenë realisht i mykur në momentin e blerjes, fakti që në paketim mund të figurojë një datë skadence e mëvonshme nuk e përjashton nevojën për të verifikuar kushtet në të cilat është ruajtur dhe tregtuar.

JOQ Albania publikon pamjet dhe kuponin e blerjes për të sjellë rastin në vëmendje të institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore dhe për të kërkuar verifikimin e tij.

Redaksia është e hapur për çdo reagim apo sqarim nga ETC Fier dhe subjektet përgjegjëse për produktin.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit