Problemet me sigurinë ushqimore po dëmtojnë sërish imazhin e produkteve shqiptare në tregjet europiane. Pas perimeve, tashmë alarmi u ka kaluar edhe produkteve të detit, ku autoritetet në Itali dhe Kroaci kanë bllokuar ngarkesa me origjinë nga Shqipëria për shkak të pranisë së substancave të rrezikshme për shëndetin.
Açuget me nivel alarmant histamine në Itali
Në Itali është bllokuar një sasi açugesh të eksportuara nga kompania shqiptare “Poseidoni”. Gjatë kontrolleve të trupave inspektuese në supermarketet italiane, produkti ka rezultuar me prani të lartë të histaminës, një ndotës biologjik që nuk shkatërrohet as gjatë procesit të gatimit apo trajtimit termik dhe që mund të shkaktojë helmim të rëndë te njerëzit.
Analizat laboratorike treguan se niveli i histaminës ishte 800 mg/kg, duke kaluar dyfishin e limitit maksimal të lejuar prej 400 mg/kg. Pas këtij zbulimi, gjithë sasia problematike u tërhoq menjëherë nga tregu italian.
Kroacia bllokon specat nga Elbasani për të katërtën herë brenda muajit
Nga ana tjetër, autoritetet në Kroaci kanë kapur sërish me shkelje eksportet e perimeve nga Shqipëria. Bëhet fjalë për një sasi prej 3,427 kg speca të kuq, të prodhuar në fshatin Mollas të Elbasanit, të cilët kanë rezultuar me ngarkesë të lartë të insekticidit Flonicamid.
Kjo substancë përdoret për të luftuar morrin e bimëve dhe mizën e bardhë, por analizat treguan një nivel prej 0.8 mg/kg, ndërkohë që prania e këtij preparati në produkt duhet të jetë zero (n/a). Kjo dëshmon se fermeri ka abuzuar me përdorimin e helmit dhe nuk ka respektuar kohën e nevojshme që ilaçi të shpërbëhet para vjeljes.
Kjo është ngarkesa e katërt brenda këtij muaji që bllokohet nga Kroacia për të njëjtën arsye.
Goditje për fermerët e ndershëm
Përveç rrezikut për shëndetin e konsumatorëve, kjo situatë sjell pasoja të rënda ekonomike. Sa herë që Shqipëria përballet me skandale të tilla të sigurisë ushqimore, çmimi i grumbullimit të prodhimit vendor pëson rënie drastike brenda 24 orëve.
Mungesa e kontrolleve rigoroze nga Ministria e Bujqësisë dhe papërgjegjshmëria e disa individëve po penalizojnë me qindra fermerë të ndershëm, të cilët detyrohen ta shesin prodhimin e tyre nën kosto.