Pas pandemisë braktisja e arsimit është përkeqësuar ndjeshëm në vendin tonë, por ky fenomen po bëhet shqetësues tek femrat.
Gjatë vitit 2022 rreth 10 për qind e vajzave në moshë shkollore nuk e ndjekin arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar. Në vitin 2014 ky tregues ishte më pak se 2%.
INSTAT raportoi se, niveli i pjesëmarrjes bruto në arsimin e detyrueshëm është 96,9 % për djemtë dhe 90,4 % për vajzat. Edhe pjesëmarrja në nivelin e mesëm të studimeve është më e lartë për djemtë se për vajzat, përkatësisht 95,7 % dhe 90,2 %, ndërsa në nivelin universitar raporti përmbyset, ku pjesëmarrja është më e lartë për vajzat, me 74,7 % krahasimisht me djemtë me 51,5 %.
Pjesëmarrja sipas gjinisë në ciklet arsimore tregon për ekzistencën e diferencave gjinore në nivelet e ndryshme të arsimit. Ka një raport më të lartë të djemve krahasuar me vajzat në arsimin parauniversitar ndërkohë që në arsimin e lartë 58,7 % e studentëve të këtij cikli janë vajza.
Kjo statistike tregon se në vitin 2022 nga 100 vajza kanë moshën dhe detyrimin për të ndjekur arsimin 9-vjecar, shkojnë në shkollë vetëm 90 nga më shumë se 98 që ishte pjesëmarrja në vitin 2014.
Një kthim pas i treguesit që përfaqëson braktisjen e shkollës lajmëron një perspektive jo të mirë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
UNICEF vlerëson se braktisja e shkollës në Shqipëri ka si shkak varfërinë e skajshme, nivelin e ulët të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me komunitetin, dukuritë negative brenda shoqërisë, lëvizjet e popullatës, migrimet etj.
Shumë nxënës braktisin shkollën si pasojë të problemeve sociale. Fëmijë nga familje të ndryshme, kryesisht romë dhe egjiptianë, por jo vetëm të tillë, mbeten pa u regjistruar në shkollë, i shmangen shkollës për shkak të zhvendosjes familjarisht nga një qendër banimi në një tjetër, për shkak të emigrimit të njërit prej prindërve, të të dy prindërve ose të gjithë familjes në vendet fqinje apo dhe më larg etj.
Nga studimet është vënë re se ushtrimi i dhunës në shkollë çon në braktisjen e shkollës nga nxënës të cilët janë shpesh viktima të dhunës së ushtruar nga bashkëmoshatarët, por edhe të atyre që ushtrojnë dhunë.
Këta të fundit kanë tendencë të përfshihen në banda kriminale adoleshentësh, të cilat përfshihen në vjedhje apo krime të tjera.