Brenda spitalit Covid 2, të rinjtë e shtruar: S’ma kishte marrë kurrë mendja që do të bëhesha kaq rëndë!

Brenda spitalit Covid 2, të rinjtë e…

Të rinjtë e shtruar në spitalin Covid-2 janë ndërgjegjësuar për rrezikun që paraqet ky virus dhe u bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre që të kujdesen për veten. Në një porononcim për Report TV, një i ri tha se nuk ia kishte marrë kurrë mendja që do të bëhej aq rëndë, por tashmë që ndodhet aty në spital kërkon që të tjerët të bëjnë kujdes.

“Isha në punë, punoja në një restorant edhe më kapi pa e ditur fare. Kisha një ngushtim në mushkëri, në frymëmarrje dhe më pas kisha këputje. Kam një mesazh për moshën e re, duhet të ketë shumë kujdes. Mua nuk ma priste mendja dhe nuk e besoja, por është një virus shumë shumë i rëndë,”- thotë ai.

“Jam 29 vjeç nga Elbasani. Nisi si një grip i lehtë, me simptomat e një gripi normal dhe si ne të rinjtë edhe me pak neglizhencë, që e lëmë pas dore, kaloi në gjendje të rëndë të frymëmarrjes, si fillim shkova në urgjencën e Elbasanit, ku mora ndihmën e parë, por duke parë që nuk po përmirësohesha, erdha me urgjencë në Tiranë. Në fillim mu kërkua që të bëja tamponin, me anë të procedurës së mjekut të familjes, mu dhanë ilaçet, por kisha sërish probleme, ndaj erdha. Sot është dita e 4-rt, kalova në reanimacion sepse kisha probleme me frymëmarrjen. Ndërsa tani, krahasuar me gjendjen si erdha, jam si nata me ditën. Që mund të infektohesha e kisha menduar, por që do përfundoja në spital, jo, sepse thoja jam i ri, do ia dal me antibiotikë, por qenka e vështirë. Infektimi i të rinjve mbase po vjen nga neglizhenca, i këshilloj të gjithë të kujdesen shumë, edhe kur flas me miqtë, i them të kujdesen për veten, sepse nuk ka limit, askush nuk mund të jetë i mbrojtur. Dua të falenderoj doktoreshë Almën, nga i pari te i fundit vijnë na japin ndihmë, na kanë qëndruar pranë. Besoj që më e keqja është pas krahëve, nga ky moment e tutje do jem më i rreptë ndaj masave sepse ndihmojnë edhe të tjerët,”- tregon një tjetër.

Ndërsa mjekët,  apelojnë të rinjtë për kujdes, pasi numri i të prekurve në moshë të re po shtohet dita ditës. Ata thonë se në spitale janë shtruar pacientë, mosha e të cilëve nis nga 24 vjeç, e për fat të keq në mesin e tyre ka edhe raste të rënda.

“Ndryshe nga muajt e mëparshëm, po shohim një rritje të numrit të të rinjve të infektuar, që variojnë nga 24 në 58 vjeç, në reanimacion. Po vijnë me gjendje vërtetë të rënda. Gjithë spitali është në terapi intensive tashmë, po insistohet të gjithë me ndihmë, me monitorime, me respiratorë etj. Ndoshta neglizhenca, mos mbajtja e maskës dhe distancimit social. Përfitoj nga rasti që të apeloj që tani nuk është më kriteri i moshës, po infektohen të gjithë, kujdesi duhet nga të gjithë sepse nuk mbrojmë vetëm veten, por edhe familjen dhe jetën. Do doja që të gjithë ta kuptonin se mbajtja e maskës është më mirë se mbajtja e maskës së oksigjenit. Kjo do të na bënte më koshient të gjithëve për të luftuar për më të mirën, ne kërkojmë fitoren e jetës,”- thonë mjekët. 

Edhe sot u regjistrua një tjetër rekord i të prekurve me Covid-19. Në 24 orët e fundit rezultuan të prekur 1130 person, ndërsa 13 të tjerë ndërruan jetë./dosja.al

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit