Briken Hoxha vdiq në burgjet e Zvicrës, zbardhet dëshmia e babait: Erdhi i sakatuar, e mbështollën me plastmas

Briken Hoxha vdiq në burgjet e Zvicrës,…

Janë zbardhur më shumë detaje nga vdekja e papritur e  Briken Hoxhës, shqiptarit që humbi jetën në ambientet e burgut ku po vuante dënimin në Zvicër. Atij i kishin mbetur edhe vetëm pak kohë për t’u liruar nga burgu. Por, nuk e arriti kurrë këtë ditë, pasi me 17 korrik të vitit 2021, në burgun Champ Dollon la Brenaz në qytetin e Gjenevës, në Zvicër, ai doli i pajetë, në rrethana të paqarta.

Sipas dosjes hetimore i pari që bëri kallëzim në prokurorinë e Tiranës për atë çfarë kishte ndodhur me djalin e tyre, ishte babai i Briken Hoxhës, Rafaek Hoxha. Ai ka deklaruar në prokurori se Brikeni gëzonte shëndet të plotë dhe kjo e kishte rritur edhe më shumë dyshimin te ta, mbi atë se çfarë atij mund ti ketë ndodhur.

Djali im Briken Hoxha, ka humbur jetën në rrethana të paqarta në një burg në Zvicër. Ai ka qenë duke vuajtur dënimin në burgun Champ Dollon Le Brenaz në qytetin e Gjenevës dhe ishte në pritje të lirimit në datë 15 gusht 2021. Por ai është gjendur i vdekur në qelinë e tij rreth orës 7.00 të mëngjesit të datës 17 korrik 2021. Djali im ka qenë rreth 37 vjeç dhe në një gjendje fizike dhe shëndetësore shumë të mirë”, ka deklaruar babai.

Ndërkohë që familja hapi dyert e mortit, ajo me të cilën u përballën në vazhdim do të ishte edhe më e tmerrshme. Sipas babait të 37 -vjeçarit, përballja me trupin e të birit, do të ishte një tjetër tronditje e fortë për ta.

“Trupi ishte në gjendje të tmerrshme, i hapur dhe i çarë në të gjitha pjesët e tij. Gjë e cila na ngriti dyshime të forta mbi autopsinë e kryer. Autopsia ligjore e cila realizohet nga mjekët përkatës specialistë ka një protokoll të caktuar gjatë realizimit të saj, kjo në varësi të gjendjes së trupit. Në burgun ku djali im vuante dënimin ka një skedë të gjendjes fizike apo shëndetësore si për çdo të dënuar tjetër.

Autopsia e realizuar ndaj djalit tim, hapja në të gjithë pjesët e trupit më bën të dyshoj fort se ekzaminimi i autopsisë është realizuar me qëllim krijimin e vështirësive për ekzaminime të tjera duke e dëmtuar trupin në atë gjendje”, ka deklaruar babai i Briken Hoxhës.

Sipas familjes trupi i Brikenit është përcjellë me arkivol fillimisht nga Zvicra për në Kosovë dhe më pas në rrugë tokësore në Shqipëri, i mbështjellë me qese plastike.

Ndërkohë që është e pashpjegueshme për familjen Hoxha se si trupi i të rit të kalonte pengesat kufitare pa pasur me vete dokumentacionin e plotë ligjor. Në këtë rast edhe autopsinë që duhet të shoqërojë trupin. Ç’ka e rrit edhe më shumë dyshimet se përse ishte e nevojshme nga autoritetet zvicerane të kryenin shkelje të tilla procedurale.

“Sapo jemi vënë në dijeni të vdekjes së djalit, jemi njoftuar për agjencinë funerale që do të bënte transportin e trupit. Trupi është sjellë deri në Kosovë nga një agjenci kosovare i mbështjellë me qese plastike të zezë. Dhe arkivoli ka qenë i hapur dhe jo i mbyllur mirë. Kjo tregon që arkivoli nuk ka dalë nga morgu dhe nuk e di si ka ardhur apo është lejuar të futet trupi në Shqipëri pa dokumentacionin përkatës”, deklaron Hoxha.

Familja ngre dyshime se Brikenit, mund ti jenë hequr edhe organet.

“Autopsia ligjore e cila realizohet nga mjekët përkatës specialistë ka një protokoll të caktuar gjatë realizimit të saj, kjo në varësi të gjendjes së trupit. Autopsia e realizuar ndaj djalit tim, hapja në të gjithë pjesët e trupit më bën të dyshoj fort se është realizuar me qëllim krijimin e vështirësive për ekzaminime të tjera duke e dëmtuar trupin në atë gjendje. Ne nuk e dimë nëse djali i ka pasur apo i ka të gjitha organet në trup” deklaron babai i Briken Hoxhës.

Sipas babait të Briken Hoxhës, ishte kjo arsyeja që ai u drejtua në Prokurorinë e Tiranë, për të bërë kallëzim. Por ajo që e bën edhe më komplekse zbardhjen e së vërtetës së vdekjes së Briken Hoxhës, është fakti që autoritetet zvicerane nuk lajmëruan familjen të parë për atë që kishte ndodhur, por trupi u tërhoq nga të dashurat e djalit të tij.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit