Britania gati të njohë formalisht Palestinën

Britania gati të njohë formalisht Palestinën

Sekretari i Jashtëm David Cameron ka lënë të kuptohet se Britania e Madhe është e gatshme për të njohur formalisht një shtet Palestinez. David Cameron theksoi se palestinezëve duhet t’u jepet një horizont politik për ta nxitur arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.

David Cameron deklaroi se popullit palestinez duhet t’i shfaqet një përparim i pakthyeshëm drejt një zgjidhjeje me dy shtete.

Derisa kjo të ndodhë ne bashkë me aleatët po konsiderojmë njohjen e një shteti palestinez, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara. Kjo mund të jetë njëra nga gjërat që ndihmojnë ta bëjë këtë proces të pakthyeshëm.” – ka deklaruar David Cameron në Këshillin Konservator për Lindjen e Mesme.

David Cameron i bëri thirrje Izraelit të lejojë më shumë ndihma ndërkombëtare në Rripin e Gazës duke e cilësuar si qesharake kthimin mbrapsht të ndihmave jetike britanike dhe ndihmave të tjera në kufi.

Cameron theksoi se 30 vjetët e fundit kanë qenë histori dështimi për Izraelin për shkak se ka dështuar të ofrojë siguri për qytetarët e vet.

Britania e Madhe ka kohë që mbështet një zgjidhje me dy shtete, ku izraelitët dhe palestinezët mund të jetojnë krah për krah në vende të ndara.

Në lidhje me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, Cameron deklaroi se ndërprerja e luftimeve është e nevojshme dhe se ka shenja shpresëdhënëse me bisedimet që po zhvillohen.

Që prej fillimit të luftës midis Izraelit dhe Palestinës në 7 Tetor të 2023, janë mbi 26 mijë të vrarë dhe mbi 65 mijë të plagosur nga bombardimet e Izraelit mbi objektivat civile në Rripin e Gazës.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit