Revolucion në Britani: Të lindurit nga 2009 nuk do të blejnë kurrë cigare

Revolucion në Britani: Të lindurit nga 2009…

Mbretëria e Bashkuar ka ndërmarrë një nga hapat më radikalë në nivel global në luftën kundër duhanpirjes. Me ligjin e ri të miratuar më 29 prill 2026, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, e drejta për të blerë produkte duhani nuk do të përcaktohet më nga mosha e një qytetari, por nga data e tij e lindjes.

Sipas kësaj rregulloreje, çdo person i lindur nga 1 janari 2009 e tutje nuk do të mund të blejë ligjërisht cigare, as kur të mbushë moshën madhore dhe as në vitet e tij të pleqërisë, si në moshën 30 apo 60-vjeçare. Kufiri i ndalimit do të zhvendoset me një vit për çdo vit që kalon, duke krijuar efektivisht brezin e parë pa duhan.

Ndryshimi është drastik: një person i lindur më 31 dhjetor 2008 do të vazhdojë të ketë të drejtë të blejë cigare, ndërsa dikush i lindur vetëm një ditë më pas nuk do ta ketë kurrë këtë mundësi.

Detajet kryesore të ligjit të ri:

  • Çfarë përfshin ndalimi: Cigaret, të gjitha produktet e tjera të duhanit, produktet bimore për tymosje si dhe letrat e cigareve.

  • Përgjegjësia ligjore: Përgjegjësia do të bjerë drejtpërdrejt mbi shitësit, të cilët përballen me gjoba të rënda dhe ndjekje penale nëse i shesin produkte këtij brezi. Vetë akti i pirjes së duhanit nuk do të kriminalizohet.

  • Zbatimi: U heq të drejtën e blerjes vetëm brezave të rinj, ndërsa për të lindurit para vitit 2009 e drejta e blerjes mbetet e paprekur.

Departamenti Britanik i Shëndetësisë ka nisur tashmë një fushatë të gjerë sensibilizuese, duke njoftuar se numërimi mbrapsht për hyrjen në fuqi të këtij ligji ka filluar. Synimi përfundimtar i qeverisë britanike është zhdukja graduale dhe e plotë e duhanit nga tregu për brezat e ardhshëm.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit