Brojën nuk e mbajnë më nervat: Përplaset me tifozin pas humbjes

Brojën nuk e mbajnë më nervat: Përplaset…

Humbja 2-1 në shtëpi ndaj Bristol City-t la pas zhgënjim te tifozët e Burnley-t, ndërsa në qendër të një momenti tensioni përfundoi edhe Armando Broja.

Sulmuesi shqiptar, i cili u aktivizua gjatë pjesës së dytë, pati një debat verbal me një prej tifozëve pas përfundimit të takimit. Mbështetësi duket se i adresoi kritika Brojës, i cili reagoi i irrituar dhe iu përgjigj drejtpërdrejt.

Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, futbollisti kuqezi shihet duke diskutuar me tifozin. Gjatë përplasjes, Broja dëgjohet të thotë: “Kam qenë jashtë për një vit, nuk kam luajtur për një vit.”

Me këtë reagim, 24-vjeçari duket se ka dashur të vërë në dukje vështirësitë që ka kaluar për shkak të periudhës së gjatë jashtë fushës dhe procesit të rikthimit në ritmin e ndeshjeve.

Debati nuk shkoi më tej, pasi Broja u largua nga zona i shoqëruar nga një pjesëtar i stafit të sigurisë.

Rezultati ndaj Bristol City-t shton presionin mbi Burnley-n, ndërsa pakënaqësia e tifozëve po rritet për shkak të paraqitjeve të fundit të skuadrës. Edhe pse Broja u hodh në fushë në pjesën e dytë, ai nuk arriti të ndryshonte fatin e takimit dhe pas vërshëllimës finale u përball me kritikat e një pjese të mbështetësve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit