Ka një lloj gjeografie institucionale në Shqipëri ku distancat mes qelisë së burgut dhe zyrës së prokurimeve publike nuk maten me kilometra, por me shkathtësi familjare. Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, i cili u dënua me tre vjet burg për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, ofron një studim rastesh mbi elasticitetin e ligjit. Pasi drejtësia i dha faturën penale dhe i ndaloi ushtrimin e funksioneve publike për pesë vjet, më 18 maj 2025 ai fitoi lirinë për arsye shëndetësore. Dhe, sikur për të vërtetuar se ajri i lirisë bën mrekulli për qarkullimin e kapitaleve, emri i tij u kthye menjëherë në qendër të vëmendjes përmes kompanisë Kevin Konstruksion, e ngritur prej tij dhe e administruar sot nga vëllai, Lavdrim Gjici.
Në qytetin bregdetar, administrata duket se e ka përvetësuar fiziken e tenderëve me saktësi prej orëzimi zviceran. Bashkia Vlorë, nën drejtimin e Brunilda Mersini (qokaxheshka), ka kurorëzuar si fituese bashkimin e operatorëve APIS CONSTRUCTION & KEVIN KONSTRUKSION për tenderin madhor me objekt “Ndërtimi i Qendrës Operacionale të Emergjencave Civile”. Me një fond limit prej 288,559,870 lekë (pa TVSH), kontrata u mbyll me një ofertë prej 269,123,172 lekë.
Përtej shifrave, ajo që tërheq vëmendjen është koreografia administrative e garës. Nga tre operatorë që hynë në pistë, vetëm njeri mbijetoi nga amnezia dokumentare:
- ARKONSTUDIO u tërhoq në heshtje, duke mos dorëzuar as dokumentacion, as ofertë ekonomike.
- RAFIN COMPANY u ndal në pengesën e parë burokratike, duke mos paraqitur letrat e kërkuara sipas standardeve.
Në këtë skenografisë ku konkurrentët shpërndahen si me telekomandë, fusha mbeti e pastër dhe e hapur. Përfundimi? Një tjetër kontratë publike që provon se përtej dënimeve dhe kufizimeve ligjore, gjenetika e suksesit biznesor në Shqipëri nuk njeh as pengesa fizike, as mungesë sinjalesh nga tregu.
Gara në fjalë është vlerësuar nga Open Data Albania me një “Flamur të Kuq” të pastër, me motivacionin klasik: skualifikimi i çdo konkurrenti tjetër përveç fituesit dhe eliminimi i ofertës më të ulët. Një koreografi standarde ku rivalët thjesht plotësojnë tabelën e Excel-it para se të fshihen nga skena.
Por problemi nuk mbaron te letrat e djegura të garës, sepse matematika e kantiereve flet një gjuhë tjetër. Projekti kërkon 18 muaj kohë zbatimi dhe rreth 50 mjete e pajisje të rënda në terren.
Në realitetin e pasqyrave financiare:
Kevin Konstruksion ka mesatarisht vetëm 63 punonjës gjithsej.
Për këtë kontratë, ajo ka marrë përsipër 89.2% të punimeve.
Vëllimi i marrë përsipër kërkon llogari lëvizëse prej rreth 81 punonjësish vetëm për këtë objekt.
Këtyre u shtohen edhe kontratat e tjera që e njëjta kompani mban aktualisht në zbatim.
Në anën tjetër të kësaj bashkie, partneri në këtë bashkim operatorësh, APIS CONSTRUCTION, mbart gjithashtu pikëpyetjet e veta financiare. Referuar të dhënave, kompania rezultonte të mos plotësonte kriteret ekonomike për një tender të kësaj madhësie, duke qenë se në vitin 2023 kishte regjistruar humbje në bilanc. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar të pozicionohet si pjesë e bashkimit fitues, qoftë edhe me një kuotë prej 3.6% të kontratës.
Në fund të kësaj llogarie, tenderi përmbyllet me mungesë konkurrence efektive, ndërsa procesi i verifikimit të kapaciteteve teknike dhe financiare lë pas dyshime të hapura. Ndërkohë, kompania e lidhur me emrin e ish-kryebashkiakut Safet Gjici shënon një tjetër rikthim në tryezën e fondeve publike, duke siguruar një kontratë me vlerë afro 269 milionë lekë pa TVSH.