Budina thirrje qytetarëve: Teatri jeton, thyeni karantinën

Budina thirrje qytetarëve: Teatri jeton, thyeni karantinën

Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar po vazhdojnë të protestojnë për prishjen e Teatrit.

Ndërkohë që vazhdon puna për prishjen e Teatrit Kombëtar, protestuesit me pankarta në duar bëjnë thirrje për mosbindje civile.

Regjisori Edmond Budina tha se “teatri jeton”. “Ju kërkoj ndjesë që teatri jonë u shemb, por teatri jeton. Ata sot kryen një gjest kriminal. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk ka vdekur. Ne jemi këtu. Prishja filloi kur njerëzit ishin brenda. Ky është një krim. Ne nuk do ta falim këtë gjë. Ne i kërkojmë qytetarëve të bëjnë një mosbindje civile, të thyejnë karantinën. Të bashkohen të gjithë në protesta të vazhdueshme”, tha ai.

Budina i kërkoi Presidentit të shpërndajë parlamentin ilegjitim. “Shpërndaj parlamentin. Tashmë jemi kthyer në diktaturë. Ky ishte akti i fundit. Këtu u varros demokracia. Partitë politike në daç t’i bashkohen lëvizjes qytetarë, në daç në djall të venë”, tha ai.

Ndërsa aktori Neritan Licaj, i cili ka qenë mjaft aktiv në mbrojtjen e godinës së Teatrit i është bashkuar protestës në një gjendje të dëshpëruar. I ulur këmbëkryq në tokë, me megafon në dorë, Liçaj shfaqet i dëshpëruar dhe në pamundësi për të folur.

Aktori Mehdi Malkaj tha se “iku një histori e bukur, iku historia e Teatrit”. “Ndonjëherë nuk kanë faj dhe këta policët se janë për bukën e gojës. Populli shqiptar është në gjumë, nuk kam fjalë. Jam krenar për veten time dhe miqtë e mi që kemi qëndruar aty 2 vite e gjysmë, jam shumë krenar për këta njerëz të devotshëm me dashuri të madhe për teatrin, artin”, tha ai.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit