Buka për kopshtet, KPP frenon tenderin e dyshimtë të Erion Veliaj. Do ia jepte Qefalisë së Dajtit

Buka për kopshtet, KPP frenon tenderin e…

Komisioni i Prokurimit Publik ka identifikuar parregullsi dhe ka parandaluar Bashkinë e Tiranës që të shpallë fitues të një tenderi për blerje buke për kopshtet e kryeqytetit kompaninë “Dajti Park 2007”, të themeluar nga administratori i njësisë Dajt, socialisti Kujtim Qefalia.

Në mesin e Dhjetorit 2020, institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj shpalli tenderin për blerje bukë thekre për fëmijet e strukturave parauniversitare.

Në këtë tender morën pjesë 4 kompani private. Shoqëria, e cila dha ofertën më të ulët, u skualifikua nga Bashkia e Tiranës, pasi, sipas komisionit të tenderit, u konstatuan mangësi në dokumentacion.

Pas këtij skualifikimi, kompania “Dajti Park 2007” u rendit e para dhe për Erion Veliajn ajo ishte fituese e tenderit.

Por, si kompania e skualifikuar, ashtu edhe një tjetër e renditur më poshtë, e ankimuan vlerësimin e Bashkisë së Tiranës dhe u ankuan pranë saj.

Vartësit e Veliajt nuk e morën në konsideratë, duke këmbëngulur se kompania e familjes Qefalia duhet të merrte tenderin me fond limit mbi 140 milionë lekë.

Kompanitë iu drejtuan Komisionit të Prokurimit Publik.

Në ankimin e njërës prej tyre janë renditur një seri elementësh, në të cilat hidhen dyshime mbi cilësinë e shërbimit që mund të ofrojë “Dajti Park 2007”.

“Nisur nga fakti që objekti i kësaj procedure është blerje bukë, e cila do të konsumohet nga fëmijë të vegjël në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës, duhet patjetër që operatori ekonomik të ketë përvojë të mëparshme në prodhimin dhe furnizimin me artikullin bukë thekre dhe integrale pasi Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve Tiranë është e një rëndësie të veçantë”, thuhet në ankimin e një prej operatorëve ankimues.

Në vijim të ankimit, e njëjta kompani ngre dyshime mbi kapacitetin dhe cilësinë e produktit të ofruar nga kompania “Dajti Park 2007”, të cilat nuk janë marrë në konsideratë nga ana e Bashkisë së Tiranës të drejtuar nga Veliaj.

Kompania tjetër, e skualifikuar nga Bashkia e Tiranës megjithëse kishte dhënë ofertën më të ulët, argumentoi para Komisionit të Prokurimit Publik se ishte eleminuar në mënyrë abuzive nga gara.

Komisioni i Prokurimit Publik, pas shqyrtimit të ankesave, konstatoi me vendimin e datës 11 Mars 2021 se pretendimi i kompanisë së skualifikuar ishte i drejtë dhe për këtë arsye ajo sposton nga vendi fitues shoqërinë private të Qefalisë së Dajtit.

Ndërsa, për ankimin e kompanisë tjetër, e cila ngrinte dyshime mbi cilësinë e mallit që mund të furnizojë “Dajti Park 2007”, Komisioni i Prokurimit Publik nuk arriti në një konkluzion të prerë, për shkak se shoqëria ankimuese nuk kishte dorëzuar fakte dhe prova për pretendimet e saj.

Megjithatë, në përfundim, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti të frenonte dëshirën e Erion Veliajt dhe stafit të tij për t’i dhënë 140 milionë lekë kompanisë me administrator Lulzim Qefalia, vëllait i deputetit të Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia dhe administratorit të Njësisë Dajt, Kujtim Qefalia.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit