Burgu e bëri Zani Caushin ‘ekspert ligji', rruga që ndoqi 'i forti i Vlorës' drejt lirimit me kusht...

Burgu e bëri Zani Caushin ‘ekspert ligji’,…

Konsiderohej si kapobanda më i egër i vitit 1997 në Vlorën e trazirave, por sot Zani Caushi, duket se është vetëm një hap nga liria.

Burgu e ka bërë Zanin jo vetëm të “fortë”, por edhe “të mençur”.

Ai i ka nisur herët përpjekjet për të fituar lirinë me kusht, betejë të cilën po e zhvillon në gjykatën e Korçës.

Një vit më parë, në korrik të 2019-ës, gjykata e Korçës, pranoi një kërkesë të vlonjatit, duke i përllogaritur kohën e qëndrimit në paraburgim.

Referuar vendimit rezulton se, njeriu i konsideruar si ‘i forti’ i Çoles, u arrestua në shtator të vitit 1997.

Pas një beteje të ashpër që zhvilloi me gjykatën, mundi të marrë pafajësinë dhe të lirohet në mars të vitit 1999.

Pas një përplasje me armë ku la të vrarë dy persona dhe u plagos dhe vetë, Zani Caushi, u riarrestua në nëntor të 1999-ës.

Prej asaj kohe, qëndron në qelitë e burgut, ku është dënuar me burgim të përjetshëm për krijim bandash të armatosura, vrasje, pengmarrje, plagosje etj.

Në gjykatën e Korçës, ai ka pretenduar se, koha e paraburgimit nuk i është llogaritur, fakt i cili është pranuar dhe drejtësia ka vendosur në favor të tij.

Të gjithë lëvizjet si dhe kërkesat për ulje dënimi, Zani Caushi, i ka bërë me qëllimin e vetëm, që të mund të arrijë të bëjë kërkesën për liri me kusht.

Neni 65 i Kodit të mëparshëm penal, para ndryshimeve të 2017, parashikon që:

“Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur:

Ka vuajtur jo më pak se 25 vjet burgim dhe, gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij”.

Pikërisht këtë nen, është duke shfrytëzuar ish-i forti i Çoles, për të dalë në liri.

Kjo, pasi ndryshimet e fundit në Kodin penal nuk e favorizojnë atë.

Kodi aktual penal, konkretisht neni 65, ku flitet për lirimin me kusht parashikon se, në raste të jashtëzakonshme, mund të lirohet i dënuari me burgim të përjetshëm.

Sidomos kur ai ka vuajtur jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim.

Myrteza Caushi referuar vendimeve gjyqësore, është dënuar me formë të prerë me burgim të përjetshëm përpara ashpërsimit të këtij neni në Kodin Penal.

Burime pranë gjykatës së Korçës, thanë se, në dinamikën e paraqitur nga drejtoria e burgut, ai rezulton se ka kryer më shumë se 25 vite dënim.

Ai ka figuruar sjellje të mirë në burg, është rehabilituar dhe nëse lirohet, do të punësohet për të siguruar të ardhura për familjen.

Të gjitha argumentet ai pritet t’i ripërsërisë në seancën e 17 korrikut.

Ish-kapobanda i Vlorës, po ndjek të njëjtën strategji dhe po shfrytëzon të njëjtat hapësira ligjore, sikurse ish-të dënuar të tjerë të përjetshëm, të cilët kanë mundur të lirohen me kusht./Gazetaatdheu.com/

 

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit