Çarja në PD/ Basha ndëshkon Belind Këlliçin për Foltoren e Rinisë

Çarja në PD/ Basha ndëshkon Belind Këlliçin…

Një mesazh që shpall rinovimin e strukturave të Forumit Rinor të Partisë Demokratike u dërgua papritur të premten pasdite nga zyra e shtypit e selisë blu. Sipas mesazhit, një grup pune ku ishte rreshtuar i pari emri i Oriela Nebiajt, ishte caktuar për riorganizimin dhe zgjedhjen e drejtuesve të rinj të forumit, sipas parimit një anëtar, një votë.

“Zgjedhjet për kryetar të FRPD-së janë mbajtur për herë të fundit në dhjetor 2015 dhe mandati i kryetarit dhe forumeve drejtuese kanë mbaruar në vitin 2019” thuhet në njoftimin e shpërndarë për gazetarët.

Nisma qe një rrufe në qiell të pastër dhe bie direkt mbi Belind Këlliçin. Më herët, nuk kishte pasur kontestime as për të, as për drejtuesit e tjerë të FRPD-së, që të tillë ishin prezantuar edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 Prillit.

Disa orë më pas, nga oborri i Partisë Demokratike, kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi tha se vendimi i Lulzim Bashës për ta shpallur të shkarkuar nuk kishte asnjë vlerë.

“Kam bërë fushatë për PD, për të zgjedhur Bashën kryeministër. Vendimi sot është nul, pa asnjë vlerë ligjore. Vendimi është përtej kompetencave të Bashës. Ne jemi në të drejtën e ushtrimit të mandatit, deri në dorëzimin e institucionit tonë, me mënyrën një votë, një anëtar. Duke qenë se PD është në krizë të thellë, që në gjykojmë se duhet të vijë përmes të vërtetës, e gjykojmë se nuk është momenti, që të uzurpohet Partia Demokratike. Unë gjithmonë kam dashur të mos humb as edhe një anëtar të PD, e jo më të fusim Partinë Demokratike në konflikt”, u shpreh Këlliçi.

Por shkak për reagimin e fortë të Bashës ndaj Këlliçit duket se është bërë një takim që ai dhe drejtues të tjerë të FRPD-së kanë planifikuar të zhvillojnë me Sali Berishën, duke njohur në këtë mënyrë procesin e Foltores dhe duke iu bashkuar nismës për mbledhjen e kuvendit. Takimi do të zhvillohet në Tiranë ditën e dielë dhe duket se Basha nuk e ka pritur mirë, por i ka nisur “fermanin” që këtë të premte duke i zhveshur ata nga përfaqësimi i FRPD-së.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit