Ceno Klosit s’i trembet syri, edhe pse nën hetim vjedh 831 vota

Ceno Klosit s’i trembet syri, edhe pse…

Rinumërimi i kutive të votimit në qarkun e Fierit nuk zbuloi thjesht një pasaktësi, por një nga manipulimet më të rënda zgjedhore të regjistruara ndonjëherë në një proces pluralist në Shqipëri. Shifrat, që duhej të pasqyronin vullnetin e qytetarëve, dolën të ishin të deformuara me qëllim.

Protagonist në këtë farsë zgjedhore është kandidati i PS-së, Ceno Klosi, i mbështetur fort nga ministrja Belinda Balluku. Ai rezulton të ketë përfituar 831 vota më shumë në procesverbal sesa ato që realisht u gjendën në kutitë e votimit. Një diferencë tronditëse, që përjashton çdo mundësi gabimi teknik apo njerëzor dhe flet qartë për një falsifikim të qëllimshëm të rezultatit.

Ajo që e bën këtë akt edhe më alarmues, është fakti se shifra është firmosur nga të gjithë anëtarët e komisionit, duke dëshmuar për një bashkëpunim të strukturuar në dëm të zgjedhjeve të lira. Nuk bëhet fjalë për një devijim të izoluar, por për një plan të qartë e të mirorganizuar për të deformuar vullnetin e fierakëve.

831 vota të futura me dorë nuk janë rastësi. Janë një akt kriminal. Një krim elektoral i pastër, që nuk mund të mbulohet me heshtje politike apo zhurma procedurash. Kjo është një plagë e hapur në trupin e demokracisë.

Ceno Klosi nuk është një emër i panjohur për drejtësinë – ai është tashmë nën hetim nga SPAK për një sërë akuzash të tjera, por siç duket, as kjo nuk e ka ndalur etjen e tij për pushtet me çdo kusht. Vjedhja e votës është vjedhje e të ardhmes, dhe kjo nuk mund të tolerohet.

Në këtë pikë, SPAK ka përpara një detyrë të qartë dhe urgjente: të mos humbasë asnjë ditë më shumë. Duhet të nisë menjëherë hetimin penal, pa pritur kallëzime nga subjektet zgjedhore që mund të jenë të kapura, të frikësuara apo të përfshira në pazare. Fakti është i dokumentuar. Manipulimi është i provuar. Tani duhet të flasë drejtësia.

Hetimi duhet të zbardhë përgjegjësinë në të gjitha hallkat – nga komisionerët që kanë firmosur mbi një gënjeshtër zyrtare, e deri te përfituesi final i votave të falsifikuara. Heshtja në këtë rast do të ishte bashkëfajësi.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit