Çfarë bëri këshilltari i Boris Johnson që trazoi Britaninë e Madhe?

Çfarë bëri këshilltari i Boris Johnson që…

Në Mbretërinë e Bashkuar kanë shpërthyer debate të nxehta, lidhur me veprimet që ka kryer një prej këshilltarëve më të lartë të kryeministrit Boris Johnson, gjatë pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Dominic Cummings, akuzohet se ka shkelur rregullat e izolimit, duke udhëtuar nga Londra për në Durham, rreth 260 milje, në një kohë kur rregullat e vendosura nga qeveria, diktonin që qytetarët nuk duhet të takoheshin me askënd jashtë banesave të tyre, përfshirë edhe familjarë me të cilët nuk ndanin të njëjtën banesë.

Cummings ka udhëtuar për në Durham, në shtëpinë e prindërve të tij dhe është pikasur nga qytetarët në kopshtin e banesës.

Këshilltari i Johnson ka patur gjithashtu simptoma të Covid-19, në kohën kur virusi ishte përhapur tek disa anëtarë të qeverisë.

Veprimet e Cummings kanë shkaktuar reagime shumë të ashpra të publikut në rrjetet sociale dhe më gjerë, për shkak se ai perceptohet si pjesë e elitës, mbi të cilin nuk aplikohen të njëjtat rregulla si për çdo qytetar tjetër.

Në një kohë kur shumë britanikë nuk mund të takoheshin me të afërmit e tyre, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore, këshilltari i kryeministrit ka vepruar ndryshe nga rregulli që aplikohej për të gjithë.

I pyetur nga reporterët lidhur me udhëtimin në Durham, këshilltari i Johnson tha se kishte vepruar drejt dhe se nuk i interesonte se si dukej veprimi i tij.

“Kujt i intereson a duket mirë? Është çështja e të bërit gjënë e duhur, nuk ka lidhje me çfarë mendoni ju“, tha Cummings.

Në një konferencë për mediat ditën e djeshme, kryeministri i ka mbrojtur veprimet e këshilltarit të tij, çka ka sjellë reagime edhe më të ashpra.

“Kam mbërritur në konkluzionin, që udhëtimi për të gjetur persona që do të kujdeseshin për fëmijët në momentin kur ai dhe gruaja e tij, do të bëheshin të pamundur për shkak të koronvirusit dhe kur nuk kishte alternativë tjetër, mendoj se ai ka ndjekur instinktin e babait dhe çdo prindi dhe nuk i vë faj për këtë.
Mendoj sa në çdo aspekt, ai ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme, të ligjshme dhe me integritet dhe me qëllimin për të ndalur përhapjen e virusit dhe për të shpëtuar jetë“, tha Johnson, teksa miliona britanikë prisnin një përgjigje.

Lideri i opozitës, laburisi Kier Starmer e ka cilësuar një “fyerje” për qytetaët këtë reagim të Johnson.

“Ky ishte një test për kryeministrin dhe ai dështoi. Është fyerje për sakrificat e qytetarëve britanikë, që Boris Johnson nuk ndërmorri asnjë veprim ndaj Dominic Cummings. Publiku ka të drejtë të mendojë, se ka rregullat të ndryshme për këshilltarin e kryeministrit dhe të tjera për popullin britanik. Veprimet e kryeministrit kanë zhvlerësuar besimin në mesazhin e tij për shëndetin publik, në një kohë kaq tër rëndësishme. Miliona njerëz po prisnin përgjigje dhe nuk morën asnjë“, u shpreh Starmer pas konferencës së Johnson.

Thirrjet për dorëheqjen e Cummings janë shtuar, ndërkohë që në një rast të ngjashëm në Skoci, shefja e parë e Mjekësisë, u detyruar të dorëhiqej, pasi kishte vizituar shtëpinë e saj të dytë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit