Çfarë do të bëjë Merkel në pension, me 15 mijë euro në muaj?

Çfarë do të bëjë Merkel në pension,…

Më 26 shtator zgjidhet Bundestagu i ri. Angela Merkel nuk kandidon më. Me një pension prej 15.000 euro në muaj, ajo nuk ka pse ta vrasë mendjen financiarisht. Po si do ta kalojë ajo kohën?

Nga Sabine Kinkartz, Deutsche Welle.

Angela Merkelit i pëlqen të gatuajë supë me patate dhe kek me kumbulla. Gjellë tipike gjermane për stinën e vjeshtës. Por pas zgjedhjeve të 26 shtatorit ajo me siguri nuk do të ketë kohë për të gatuar. Sepse Merkel do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë derisa të formohet qeveria e re.

Gjatë dekadave të fundit formimi i qeverisë dhe zgjedhja e kancelarëve është bërë mesatarisht pesë deri në gjashtë javë pas zgjedhjeve. Por në vitin 2017 u deshën pesë muaj e gjysmë deri se të krijohej koalicioni i ri qeverisës. Pra ka shumë gjasa që Angela Merkel ta thyejë rekordin e Helmut Kohlit, mandati i të cilit përfundoi në vitin 1998 pas 5870 ditësh në post. Për të thyer këtë rekord Merkelit do t’i duhet të qëndrojë në detyrë deri më 17 dhjetor 2021.

Gjatë një vizite në korrik në Uashington, ku iu dha një doktoratë nderi nga Universiteti Johns Hopkins, Angela Merkel tha se pasi të dalë në pension do të bëjë fillimisht pushim dhe nuk do të pranonjë asnjë ftesë. Gjatë kësaj kohe tha ajo “dëshiroj të mendoj për gjërat që vërtet më interesojnë” dhe për të cilat ka pasur pak kohë gjatë 16 viteve të fundit. Me një buzëqeshje të djallëzuar, kancelarja tha: “do të lexoj, kur të më mbyllen sytë se jam e lodhur do të fle pak, pastaj kur të zgjohem të shohim se ç’do të bëj”.

15,000 euro pension në muaj

Angela Merkel mbushi më 17 korrik 67 vjeç. Nga pikëpamja financiare ajo nuk ka pse ta vrasë mendjen. Si kancelare ajo fiton aktualisht 25,000 euro në muaj, plus rreth 10,000 euro si anëtare e Bundestagut, anëtare e të cilit është prej më shumë se 30 vjetësh. Kur Merkel të ndalojë së punuari, ajo fillimisht do të vazhdojë të marrë këtë rrogë edhe për tre muaj dhe më pas gjysmën për maksimalisht 21 muaj.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit