Një ditë pas shpërthimit tragjik në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe 10 të tjerë mbetën të plagosur, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Mëngjesin e kësaj të enjteje, ekspertë të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë kanë mbërritur në vendngjarje për të kryer këqyrjen e zonës dhe mbledhjen e provave. Hetimet kanë nisur pas përfundimit të operacionit të kërkim-shpëtimit, ku u gjetën trupat e pajetë të 69-vjeçarit Hamit Ibra dhe 83-vjeçares Hatixhe Berisha.
Në vendngjarje pritet të mbërrijnë edhe ekspertët e Institutit të Ndërtimit, të cilët do të vlerësojnë dëmet në strukturën mbajtëse të pallatit pesëkatësh, qëndrueshmërinë e tij dhe rrezikun për banorët. Nga rezultatet e ekspertizës do të përcaktohet nëse godina mund të rikthehet në gjendje të banueshme apo nëse do të nevojiten ndërhyrje të mëtejshme për garantimin e sigurisë. Ndërkohë, një nga pistat që po shqyrtohet për shkakun e shpërthimit është rrjedhja e mundshme e gazit nga një bombol gatimi, por ende nuk ka një përfundim zyrtar.
Pas tragjedisë, Bashkia e Elbasanit ka bërë të ditur se do të marrë masa për strehimin e përkohshëm të familjeve që kanë mbetur pa banesa. Banorët e pallatit janë evakuuar, ndërsa pasiguria për gjendjen strukturore të godinës mbetet një nga shqetësimet kryesore. Përgjigjet e ekspertizës pritet të përcaktojnë shkakun e shpërthimit, përgjegjësitë e mundshme dhe nëse familjet do të mund të rikthehen në banesat e tyre.