Një pamje shqetësuese vjen në redaksinë e JOQ Albania, ku uji i liqenit shfaqet i mbuluar nga një shtresë e gjelbër, ndërsa një qytetar ngre alarmin për shkarkimet dhe mungesën e masave konkrete nga institucionet përgjegjëse.
Sipas denoncuesit, përfaqësues të institucioneve kanë mbërritur në vend për të marrë mostra, por pas këtij veprimi, sipas tij, nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete për të trajtuar situatën.
“Kanë ardhur gjoja, kanë marrë mostra, por masa s’janë marrë. Papërgjegjshmëri totale për shkarkimet që bëjnë në liqen!”, shkruan qytetari, duke kërkuar që kjo problematikë të ndiqet nga afër.
Fotografia ngre pikëpyetje për gjendjen e ujit dhe nevojën për verifikime të menjëhershme. Megjithatë, shkaku i pamjes së ujit duhet të përcaktohet përmes analizave, rezultatet e të cilave qytetarët kanë të drejtë t’i dinë.
A janë analizuar mostrat e marra? Çfarë kanë treguar rezultatet? Dhe, nëse konstatohen ndotje apo shkarkime të paligjshme, kush do të mbajë përgjegjësi?
Qytetarët nuk mund të mbeten vetëm me premtime dhe kontrolle pa një përfundim të qartë. Institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë transparencë dhe të sqarojnë se çfarë po ndodh me liqenin.
JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përkatëse të reagojnë dhe të japin përgjigje konkrete për këtë shqetësim. Mjedisi nuk mbrohet vetëm duke marrë mostra, por duke zbardhur shkaqet dhe duke ndërhyrë kur është e nevojshme.