Një konflikt mes dy nxënësve ka ndodhur në oborrin e një gjimnazi në Krumë, ku një 17-vjeçar dyshohet se ka gërvishtur me një mjet të vogël prerës bashkëmoshatarin e tij, i cili është edhe shok klase. Ngjarja është shënuar paraditen e djeshme dhe, sipas policisë, konflikti ka nisur për motive të dobëta.
Nxënësi i dëmtuar ka marrë ndihmën mjekësore dhe më pas është larguar për në banesë. Për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has kanë referuar materialet në Prokurori për veprime të mëtejshme ndaj 17-vjeçarit të dyshuar.
Policia bën me dije se veprimet procedurale janë kryer në prani të prindërve dhe psikologut. Rasti është trajtuar jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe me familjarët e dy të miturve dhe stafin pedagogjik të shkollës, ndërsa autoritetet vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.