
Shembja e urës në Baltimore në fillim të kësaj jave ka çuar në pezullimin e aktivitetit në Portin Baltimore, një nga portet më të ngarkuara në SHBA.
Ndërsa autoritetet shtetërore punojnë për të pastruar mbeturinat e shkaktuara nga katastrofa dhe qarkullimi i anijeve është pezulluar zyrtarët federalë llogarisin dëmet që do të vijnë si pasojë e këtij aksidenti tragjik.
Për më tepër, porti mbështet drejtpërdrejt më shumë se 15,000 vende pune, me një shtesë prej 140,000 vende pune të varura nga aktiviteti i portit në përgjithësi, sipas zyrës së Guvernatorit të Maryland, Wes Moore.
Kjo nuk do të thotë që këta individë do të pushohen nga puna, por më pak trafik do të thotë se ata kanë më pak punë për të bërë. Duke qenë punëtorë ditorë, ata mund të humbasin pagat.
Vonesa mund të priten edhe nga kompanitë dhe klientët pasi paketat e destinuara për përpunim në port do të duhet të devijohen diku tjetër.
Mbyllja e portit të Baltimores mund t’i kushtojë ekonomisë 15 milionë dollarë në ditë, ndërsa siguruesit përballen me pretendime deri në 3 miliardë dollarë.
Përveç dëmit ekonomik që i është bërë pasoja do të kenë edhe kompanitë që përdorin portin. Një nga këto kompani është kompania më e madhe e sheqerit në SHBA, grupi ASR, e cila pas ngjarjes raportoi se ka gjashtë deri në tetë javë rezerva të sheqerit të papërpunuar në rafinerinë e saj në Baltimore, e cila furnizohet nga anijet që vijnë në port.
Pavarësisht situatës së rëndë që u krijua ekspertët janë optimistë dhe thonë se pasojat nga shembja e urës do të jenë të përkohshme.