Dy vite më parë, në muajin Dhjetor të vitit 2018, Edi Rama, nisi një turne për të shuar protestën e studentëve në të gjithë vendin.
Gjatë një takimi me studentët e universitetit të Vlorës, ai u kap në befasi kur njëri prej tyre e pyeti `shqeto`, se ku i ka gjetur paratë për shtëpinë pompoze që ka në Surel, ndërkohë që ka deklarua pasuri vetëm 2 mijë euro. Kjo pyetje erdhi pasi kryeministri i kërkoi llogari studentit, se ku i kishte gjetur paratë për telefonin celular që mbante në dorë.
Në atë kohë Rama deklaroi se kishte kursyer para nga emigracioni, për shtëpinë e Surrelit.
‘ Ke dëgjuar Saliun që unë kam deklaruar 2 mijë euro. Është një gënjeshtër. Kaq shumë akuza e shpifje i bie të merrem me këtë punë, po kam shumë më me rëndësi për të bërë. S’kam deklaruar që kam 2 mijë euro, është gënjeshtër e sajuar. Kam qenë emigrant, dhe si emigrant kam bërë edhe unë sakrificën në emigracion. Shtëpia ime jo vetëm është e deklaruar në detaj, por edhe taksat i ka të regjistruara’, deklaroi atëherë ai.
Ky është variant i burimit të parave për shtëpinë në Surel (e cila është vlerësuar nga shumë ekspertë se shkon rreth 2 milion euro), që Edi Rama dha përpara 2 vitesh.
Por më pas në disa dalje të tjera ai nxori një variant tjetër, duke ja faturuar paratë për ndërtimin e saj, bashkëshortes Linda Rama.
Pikërisht këtë tha edhe në intervistën e fundit ‘ndryshe’, për Blendi Fevziun.
‘E para vetëm vilë që nuk quhet ajo. E dyta është një, nga thuajse gjysmë milionë shtëpitë që janë ndërtuar në Shqipëri. Në shtëpinë ku jetojmë ne, ngado të kthesh kokën janë vila 3-4 katëshe dhe nuk ka asnjë politikan aty. E treta, unë vetë deri ditën kur jam bërë burri i Linda Ramës dhe kam shumë fat që jam burri i Linda Ramës, unë kam pas idenë që: Pse duhet të kem unë shtëpi? Unë jetoj me qira. Shtëpitë e mia me qera janë gjithmonë minimaliste. Linda kishte një tjetër ide: Që shtëpia është një hapësirë ku zhvillohet historia e përditshme e një familjeje dhe ku mblidhen kujtimet dhe janë pasuri edhe e fëmijëve. Në atë kohë ajo kishte një tokë që në fillim të viteve 2000 kur nuk ishim fare me njëri-tjetrin dhe erdhëm tek ideja për ta bërë atë shtëpi. Është kontributi i saj për ta bërë atë shtëpi. Është një hapësirë e shtrirë në një kat. Ka një veçanti që muret e jashtme dhe të brendshme i ka një, por do vijë dita që me siguri do jetë pikë referimi nga pikëpamja e arkitekturës’, tha kryeministri për këtë çështje.
Në gjithë këtë histori me dy variante shtrohet pyetja: Cili Ramë gënjen, ai i Vlorës apo ai i Fevziut?!
burimi: syri.net