Cili është kërcënimi që vjen prej Covid-19? Flet Mjeku shqiptar në Gjermani

Cili është kërcënimi që vjen prej Covid-19?…

Mjeku shqiptar, Adnan Popaj, nutricionist dhe dietolog i angazhuar në mjekësi alternative në Frankfurt të Gjermanisë rrëfen situatën e shqiptarëve në Frankfurt dhe betejën e gjermanëve ndaj Covid-19.

Kërcënimi që vjen prej Covid-19 dhe fazat e zhvillimit

Pandemia e koronavirusit është ende në fazën aktive por me një intensitet më të dobët. Për deri sa nuk ka vaksinë kundër Covid-19, ekziston ende rrezikshmëria e përhapjes dhe rritja e vdekjes në botë. Në Gjermani masat mbrojtëse kundër Covid-19 janë lehtësuar dukshëm por disa prej tyre, si p.sh detyrimi i mbajtjes së maskave higjienike të gojës, vazhdojnë të jenë ende. Lufta kundër pandemisë Covid-19 nuk ka përfunduar. Rreziku mund të vijë në vjeshtë dhe në dimër kur në këtë kohë paraqiten edhe gripat sezonale. Sigurisht që do të ketë edhe një valë të dytë, por sa do të ketë pasoja në njerëz me letalitet varet nga masat mbrojtëse të cilat merren nga institucionet shëndetësore nga vendet e ndryshme të botës. Nga përvoja e deri tashmë e masave mbrojtëse dhe nga përvoja e trajtimeve mjekësore të institucioneve të ndryshme shëndetësore kundër koronavirusit, jam shumë optimist se vala e dytë e infektimit me Covid- 19 nuk do të ketë pasoja të mëdha në njerëz.

Vështirësi për gjetjen e vaksinës

Për të bërë vaksinën janë procedurat e zbulimit të vaksinës dhe testimit shumë të komplikuara dhe që marrin shumë kohë. Zakonisht për të zbuluar një vaksinë duhet kohë prej 2 deri 5 vite. Gjithashtu duhen mjete financiare të mëdha për të ardhur deri te gjetja e vaksinës. Aktualisht është duke u bërë një betejë e madhe tek gjigantët farmaceutik në Gjermani për ta zbuluar vaksinën kundër koronavirusit. Po ashtu është duke u zhvilluar një konkurencë e madhe në mes të shteteve të ndryshme. Amerika dhe disa shtete më të zhvilluara të Evropës janë duke ndarë mjete të mëdha financiare për ta gjetur vaksinën kundër covid-19. Duke marrë parasysh të gjitha këto përpjekje të mëdha për zbulimin e vaksinës kundër Covid-19 unë e parashikoj të ketë vaksinë kundër koronavirusit deri në fund të këtij viti. Por sfida tjetër e madhe do të jetë të vaksinohet numri aq i madh i popullsisë në të gjithë botën për një kohë të shpejtë. Edhe për këtë duhen mjete shumë të mëdha financiare dhe një infrastrukturë shumë të përsosur.

Informacion kontradiktor rreth Covid-19

Diskutimet rreth pandemisë së koronavirusit kanë qenë shumë të mëdha dhe disa herë edhe kundërthënëse, jo vetem tek popullsia dhe në politikë por edhe tek ekspertët mjekësor. Informatat rreth koronavirusit Covid-19 kanë qenë shpesh edhe kontradiktore. Kjo është verejtur edhe në masat mbrojtëse që janë ndërmarrë kundër pandemisë Covid-19 nga shtetet e ndryshme të botës. Vendimet dhe masat mbrojtëse kundër pandemisë në aspektin global kanë qenë shumë të ndryshme. Disa shtete kanë marr masa mbrojtëse shumë ekstreme dhe disa shtete kanë marrë masa mbrojtëse shumë të lehta dhe me shumë vonesë. Dhe kjo ka ndikuar të përhapja e shpejtë e koronavirusit. Për shumë udhëheqës shtetesh masat mbrojtëse kanë qenë vendime shumë të vështira, sepse në një anë ka qenë me rëndësi të mbrohet popullata nga pandemia e covid-19, dhe në anën tjetër të mos i shkaktohen dëme të mëdha ekonomisë. Në qoftë se ju referohemi numrit të vdekjeve në botë nga faktorët tjerë, si p.sh. nga vdekshmëria e sëmundjeve tjera infektive dhe sëmundjeve që shkaktohen si pasoj e ndotjes së ajrit, atëherë e shohim se vdekshmëria nga Covid-19 në krahasim me vdekshmëritë tjera, sidomos në Gjermani, deri me tash është e ulët.

Situata e Covid-19 në Gjermani dhe e ardhmja

Gjermania në krahasim me vendet tjera e ka menaxhuar pandeminë deri tash me shumë sukses. Masat të cilat janë dhanë nga institutet shëndetësore këtu në Gjermani janë zbatuar shumë me kujdes nga popullsia. Populli Gjerman është i njohur për disiplinë dhe kjo ka ndikuar më së shumti për numrin deri më tash të ulët të covid-19 vdekshmërisë në krahasim me disa vende tjera. Në këtë numër të ulët ka ndikuar pa dyshim edhe sistemi i mirë i shëndetësisë këtu në Gjermani.

Shqiptarët në Frankfurt

Në zonën e Frankfurtit këtu në Gjermani ku jetoj unë ka shumë shqiptar nga të gjitha trevat shqiptare. Për fat të mirë në këtu nuk kemi pasur raste me pasoja të rënda me fatalitet nga infektimi me Covid-19. Në çdo kontakt me shiptarët këtu në Gjermani kam përcjellë këshilla si ta ruajmë qetësinë të mos kemi panik dhe ankth të tepruar, por të jemi të kujdesshëm. Gjithashtu jam munduar të jap këshilla se si ta forcojmë imunitetin dhe këshilla për masa tjera preventive dhe higjienike kundër Covid-19.

Mesazhi për lexuesit dhe Diasporën shqiptare në USA

E përshëndes gjithë Diasporën shqiptare në Amerikë dhe e porosis të jenë të kujdesshëm por jo të kenë ankth të tepruar. Ankthi i tepruar dhe paniku e dobësojnë imunitetin në masë të madhe. Konsumoni sa më shumë ushqime të shëndosha më përmbajtje të lartë të vitaminave, konsumoni më shumë fruta dhe perime. Edhe marrja në mënyrë preventive e disa vitaminave dhe mineraleve (Vitamin C, Zink, Selen, Vitamin D3, Koenzima Q10 etj.) ndikon në forcimin e imunitetit dhe na mbron nga sëmundjet e ndryshme. / Dielli

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit