Cili është qyteti shqiptar që ka rrëmbyer vëmendjen e mediave të huaja?

Cili është qyteti shqiptar që ka rrëmbyer…

Berati është qyteti shqiptar që nuk po tërheq vetëm vëmendjen e turistëve – 1 milion e vizituan sezonin e kaluar – por ka rrëmbyer edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, duke u prezantuar si një nga destinacionet më tërheqëse në Shqipëri, i vendosur tashmë në hartën globale të turizmit.
Berati në sytë e mediave prestigjioze ndërkombëtare
Time Magazine e ka përshkruar Beratin si një qytet që ofron një përzierje të trashëgimisë kulturore dhe mikpritjes. Artikulli thekson rëndësinë historike të qytetit, pasurinë e tij arkitektonike me kisha bizantine, xhami dhe kalanë shekullore.

Le Monde ka raportuar për transformimin e Shqipërisë përmes turizmit masiv, duke përmendur Beratin si një nga qytetet që përfiton nga ky zhvillim. Thekson rritjen e numrit të vizitorëve dhe përmirësimin e infrastrukturës turistike në qytet.

The Sun e ka përfshirë Shqipërinë në listën e destinacioneve të reja për pushime, duke përmendur Beratin si një qytet me çmime të përballueshme dhe atraksione kulturore të pasura. The Sun thekson se qyteti është vetëm tre orë larg nga Mbretëria e Bashkuar dhe ofron një alternativë ekonomike ndaj destinacioneve tradicionale.

Conde Nast Traveller paralelizon shtëpitë e bardha, karakteristike të Beratit me ato blu të Puglias dhe sigurisht sugjeron lexuesit e saj të vizitojnë qytetin 2400-vjeçar, si një destinacion ‘must’.

Lonely Planet: “Pavarësisht se tani është një qendër e madhe për turizmin në Shqipëri, Berati ka arritur të mbajë sharmin e vet dhe atmosferën miqësore”.

Slow Travell: E këshillon çdo udhëtar të botës të kalojë të paktën tri net në Berat, rendit gjithçka që mund të bëjë në këtë qytet, pa harruar rikthimin në të.

El Pais: E ka cilësuar Beratin si një xhevahir të Ballkanit që duhet zbuluar.

Revista prestigjioze franceze e verës, “La Revue du Vin de France” ka vlerësuar verërat me etiketë shqiptare. Mes 7 më të mirave, 3 janë kantinat e Beratit; Çobo Wine, Kantina Alpeta dhe Kantina Pupa. Berati është qyteti i kantinave dhe një herë në vit mbledh kantinat shqiptare e më gjerë në Festivalin e verës “Wine & Stories of Berat”.

Berati si simbol i turizmit shqiptar
E dini çfarë është më e bukura? Berati shpesh është zgjedhur si imazhi përfaqësues në artikujt dhe promovimet për Shqipërinë. Fotot e qytetit me shtëpitë e bardha dhe dritaret karakteristike përdoren në kopertinat e shumë artikujve ndërkombëtarë, duke e bërë atë një simbol të turizmit shqiptar. Edhe kur një shkrim flet për 10 qytete shqiptare, kopertina i takon Beratit. Më poshtë janë disa foto sa për ilustrim.

Me një kombinim të pasurisë kulturore, mikpritjes tradicionale dhe zhvillimeve moderne, Berati vazhdon të jetë një nga qytetet më tërheqës në Shqipëri, duke rrëmbyer vëmendjen e mediave dhe turistëve ndërkombëtarë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit