
Në vend që të zbrisnin në prill, siç ndodh zakonisht për shkak të prodhimeve vendase, çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë janë rritur ndjeshëm, duke çuar inflacionin në 2.3%, nivelin më të lartë në 15 muaj. Ndërsa familjet shqiptare luftojnë me shportën gjithnjë e më të shtrenjtë, institucionet publike tregojnë apati dhe mungesë veprimi.
Sipas të dhënave të INSTAT, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha ndikimin më të madh në këtë rritje inflacioni, duke kontribuar me +1.29 pikë përqindje. Më pas vijnë mobiljet, energjia, qiratë, restorantet dhe madje edhe shërbimet arsimore dhe shëndetësore. Pra, rritja prek direkt jetën e përditshme të çdo qytetari.
Situata është edhe më alarmante kur merret parasysh paralajmërimi i Bankës së Shqipërisë se ekonomia po ngadalësohet. Megjithatë, banka vendosi të mos ndryshojë normën bazë të interesit, duke u mjaftuar me deklarata teknike, ndërsa konsumatori përballet çdo ditë me çmime më të larta.
Në këtë realitet, dështimi i sektorit të bujqësisë dhe mungesa e mbështetjes efektive për prodhimin vendas kanë ndikuar direkt në mungesën e furnizimit dhe rritjen e çmimeve. Askush nuk mban përgjegjësi, dhe askush nuk ofron një zgjidhje.
Në një vend ku paga minimale nuk mbulon më as kostot bazë, inflacioni “nën kontroll” është thjesht një mashtrim statistikor.