Çmimet në Shqipëri më të larta se në BE, po i shokojnë turistët europianë

Çmimet në Shqipëri më të larta se…

Turistët e huaj të habitur nga çmimet e supermarketeve në Shqipëri, që i konsiderojnë më të larta se në vendet e tyre

Alesandro, një vizitor nga Italia, ndau përvojën e tij pas një ndalese në një supermarket në Tiranë. Ai priste që Shqipëria të ishte më e përballueshme për xhepin, por përfundoi duke paguar shumë më tepër nga ç’e kishte menduar. “Morëm disa produkte për darkë — verë, mish, pasta, djathë e perime — dhe çmimi përfundimtar shkoi në 35 euro. Më shumë se në Bolonjë,” tha ai.

Në një koment në rrjetet sociale, Elmori nga Britania tregoi se kishte paguar 15 euro për disa perime në një supermarket në Golem. Ai u befasua nga çmimi dhe madje kërkoi verifikim nga shitësja, e cila i tregoi shumën përmes kalkulatorit. “U ndjeva i mashtruar,” shkroi ai, duke shtuar se të hash në restorante në Shqipëri del më lirë sesa të gatuash vetë.

Shumë turistë kanë nisur të ndajnë zhgënjimin për çmimet e larta të supermarketeve, ndonëse restorantet i konsiderojnë ekonomikisht të leverdishëm. Kjo kontrast i ka çuar ata të rimendojnë mënyrën e shpenzimeve gjatë qëndrimit në Shqipëri.

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostatit, për herë të parë që nga viti 2005, çmimet e ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike në Shqipëri kanë kaluar mesataren e Bashkimit Europian. Indeksi i matjes së çmimeve për vitin 2024 ka arritur në 100.1%, duke e renditur vendin përtej nivelit të BE-së.

Nëse krahasohen të ardhurat sipas fuqisë blerëse, shqiptarët zotërojnë vetëm 41% të mesatares së BE-së, ndërkohë që paguajnë për ushqime njësoj si europianët. Rritja e ndjeshme e çmimeve ka nisur që në vitin 2018, duke e përmbysur situatën ku Shqipëria konsiderohej një destinacion i lirë.

Produktet si vezët, djathi dhe qumështi janë bërë ndër më të shtrenjtat, duke arritur në 131% të mesatares së BE-së. Edhe pijet jo alkoolike dhe ushqimet e përpunuara po ndjekin të njëjtën trajektore, me rritje përkatësisht në 124.8% dhe 119% krahasuar me Europën.

Në raport me vendet e rajonit dhe disa shtete të BE-së, Shqipëria del më e shtrenjtë se Spanja, Çekia, Polonia dhe Bullgaria. Në nivel europian, vetëm vendet si Zvicra dhe Islanda kanë çmime më të larta. Për Kosovën, të dhënat e fundit të disponueshme janë për vitin 2022, kur çmimet ishin 83.7% e mesatares së BE-së.

Faktorët që ndikojnë në këtë nivel të çmimeve përfshijnë barrën e lartë fiskale mbi mallrat bazë, TVSH-në e lartë, transportin me kosto të rritur dhe mungesën e konkurrencës reale në treg. Shqipëria, përkundër pritshmërive të vizitorëve, po kthehet në një vend me çmime super të larta, të ngjashme me ato të Europës Qendrore.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit