Çmimi i filxhanit të kafesë pritet të rritet me 10 deri në 30 lekë për shkak të kostove të larta të importit

Çmimi i filxhanit të kafesë pritet të…

Shqipëria pritet të përballet shumë shpejt me rritjen e çmimeve të kafesë në bare, pasi kostot e importit të këtij produkti po rriten ndjeshëm.

Sipas të dhënave zyrtare të tregtisë së jashtme, në janar 2025, një kilogram kafe është importuar me një çmim mesatar 30% më të lartë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Konkretisht, në janar 2024 u importuan 486,619 kilogramë kafe me një vlerë totale prej 216 milionë lekësh, ose 462 lekë për kilogram, ndërsa në janar 2025 kjo sasi u rrit në 787,834 kilogramë, me një vlerë prej 471,6 milionë lekësh, duke e çuar çmimin mesatar në 598 lekë për kilogram.

Kryetari i Shoqatës së Bar-Restoranteve, Enri Jahaj, deklaroi se baret në Shqipëri po përballen me vështirësi që prej vitit të kaluar, për shkak të rritjes së çmimeve të kafesë dhe kakaos, dy produkteve më të shitura në këtë sektor. Sipas tij, në muajt mars dhe prill pritet të ketë një reflektim të kësaj rritjeje në çmimin e një filxhani kafe, që mund të shkojë 10-30 lekë më shumë.

Megjithëse konkurrenca mes bareve ka frenuar reflektimin e plotë të rritjes së çmimeve të importit tek konsumatori, faktorë të tjerë si rritja e përgjithshme e kostove, përfshirë pagat, po e bëjnë të pamundur mbajtjen e çmimit aktual të kafesë, i cili varion mesatarisht nga 70 deri në 150 lekë, në varësi të zonës.

Kafeja në Shqipëri nuk është thjesht një produkt konsumi, por një pjesë e rëndësishme e stilit të jetesës, me një kulturë të thellë të konsumimit në ambiente publike. Ky është edhe një nga faktorët që e rendit Shqipërinë mes vendeve me numrin më të lartë të bareve dhe restoranteve në Europë.

Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare, analistët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë negativisht në çmimet e produkteve bujqësore, veçanërisht kafesë, gjatë dy viteve të fundit. Një raport i kompanisë europiane “Inverto” thekson se rritja e temperaturave dhe ngjarjet ekstreme të motit do të vazhdojnë të ndikojnë rendimentin e prodhimit, duke sjellë çmime të paqëndrueshme për ushqimet përgjatë vitit 2025.

Në vitin 2024, i regjistruar si më i nxehti deri më tani, çmimet e kakaos dhe kafesë pësuan rritje rekord, përkatësisht 163% dhe 103%, kryesisht për shkak të reshjeve të larta dhe temperaturave ekstreme në rajonet prodhuese. Tendenca për një klimë më të ngrohtë dhe të paqëndrueshme parashikohet të vazhdojë edhe në vitin 2025, duke ndikuar më tej në rritjen e çmimeve të produkteve bazë si kafeja.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit