Çmimi i shalqirit i ulët, fermerët e Fierit ngrihen në protestë

Çmimi i shalqirit i ulët, fermerët e…

Fermerët e Kallmit të Madh në Fier akuzojnë tregtarët për bashkëpunim të qëllimshëm për uljen e çmimeve, ndërsa prodhimi u kalbet në fushë dhe bujqësia po braktiset

Fermerët e zonës së Kallmit të Madh në Fier po përballen me një krizë të thellë ekonomike, pasi shalqiri, kultura kryesore bujqësore e zonës, po blihet nga tregtarët me çmime qesharake. Ata shprehen të dëshpëruar, pasi prodhimi që në fillim është shitur për 25 lekë për kilogram, ndërsa tani çmimi ka rënë në vetëm 10 lekë, një vlerë që nuk mbulon as shpenzimet e mbjelljes.

“Gjithçka e kemi financuar vetë. Asnjë ndihmë nga shteti, asnjë subvencion. Tregtarët tani na e blejnë shalqirin me vetëm 10 lekë për kilogram. Me këtë çmim jemi në rrugën e falimentimit total,” tha fermeri Nikollaq Buzi, i cili shton se me këtë ritëm nuk u leverdis as ta mbledhin prodhimin nga ara.

Fermerët akuzojnë tregtarët dhe pikat e grumbullimit se janë bashkuar për të manipuluar çmimin e tregut, duke përfituar nga mungesa e kontrollit institucional. Në shenjë proteste, ata kanë dalë në rrugë duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga autoritetet shtetërore për të ndalur këtë abuzim.

“Janë bashkuar tregtarët nga Shqipëria dhe Kosova. Ata vendosin çmimin, ne thjesht humbasim. Kam shpenzuar 500 mijë lekë për të mbjellë shalqirin, e tani nuk do të marr dot as 200 mijë. Kjo është katastrofë,” deklaroi fermerja Floresha Buzi, mes lotësh.

Për shumë nga fermerët, mungesa e fitimit i ka detyruar të lënë prodhimin të kalbet në arë. Të lodhur dhe të zhgënjyer, ata po mendojnë të largohen jo vetëm nga bujqësia, por edhe nga Shqipëria. “Kjo përsëritet çdo vit. Askush nuk reagon. Kam dy djem dhe të dy po planifikojnë të largohen jashtë. Këtu nuk ka të ardhme,” u shpreh një fermer tjetër.

Fermerët kërkojnë që Autoriteti i Konkurrencës të hetojë fiksimin e çmimeve nga tregtarët, ndërsa Ministria e Bujqësisë dhe Bashkia e Fierit të marrin masa për organizimin e tregjeve lokale dhe krijimin e kushteve për ruajtjen e prodhimit.

Përballë kësaj situate, mungesa e reagimit nga institucionet përkatëse vetëm thellon krizën në sektorin bujqësor dhe i shtyn fermerët drejt një braktisjeje të pashmangshme të tokës dhe profesionit.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit