Çobo i “Bankers” nën hetim nga SPAK, merr tender 1 mln euro nga Agolli i FSHZH-së

Çobo i “Bankers” nën hetim nga SPAK,…

Ish-administratori i “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo, i cili është nën hetim në kuadër të dosjes “Bankers” për dyshime mbi fshehjen e të ardhurave dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, është shpallur fitues i një tenderi me vlerë rreth 1 milion euro, të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), institucion i drejtuar nga Dritan Agolli. Kompania “Tetra” sh.p.k., në të cilën Çobo zotëron 20% të aksioneve së bashku me sipërmarrësin Genc Likoskëndaj, është shpallur fituese më 5 gusht 2026 në procedurën për “Ndërtimin e nyjeve multimodale të mobilitetit, Rajoni 3&4: Përmirësimi i performancës së parkimeve përmes plotësimit me pajisje teknologjike”. Fondi limit i tenderit ishte 94.620.680 lekë, rreth 990.792 euro. Në garë mori pjesë edhe kompania “2N” sh.p.k., e cila u skualifikua pasi, sipas FSHZH-së, nuk plotësonte kriteret kualifikuese.

Sipas të dhënave të publikuara nga Boldnews.al, “Tetra” është krijuar në vitin 2007 dhe një prej ortakëve themelues ishte Genc Likoskëndaj. Në qershor 2023, Likoskëndaj i shiti Leonidha Çobos 20% të aksioneve për 80 mijë euro. Të dy emrat shfaqen edhe në dosjen hetimore të “Bankers Petroleum”, ku prokurorët kanë ngritur dyshime mbi faturime që dyshohet se kanë qenë fiktive. Sipas të dhënave të dosjes të cituara nga Boldnews, Leonidha Çobo-Person Fizik ka faturuar rreth 15 milionë lekë të reja subjektin “C.C.S.” sh.p.k., ku ndër pronarët ishte Genc Likoskëndaj. Po ashtu, Çobo ka faturuar rreth 18 milionë lekë të reja për ekspertizë nga “Tetra”, ndërsa në vitin 2024, përmes “LC Consulting”, ka faturuar 78 milionë lekë shërbime konsulence për “Tetra”. Një tjetër faturim prej 12.5 milionë lekësh është regjistruar për shërbime konsulence nga “Leonidha Çobo-Person Fizik” te “LC Consulting”, subjekt i vetë Çobos.

Çështja lidhet me hetimet për aktivitetin e “Bankers Petroleum”, ku Prokuroria e Fierit në korrik 2025 njoftoi masa sigurie ndaj drejtuesve dhe ish-drejtuesve të kompanisë për dyshime për “Fshehjen e të ardhurave”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimin e detyrës” dhe “Moskryerjen e detyrave nga organet tatimore”. Sipas prokurorisë, “Bankers Petroleum Albania Ltd.” rezultonte me humbje nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024, duke bërë që shteti shqiptar të mos përfitonte të ardhura nga aktiviteti për rreth 20 vite. Çështja më pas kaloi për kompetencë te SPAK-u dhe personat e arrestuar, përfshirë Çobon, po hetohen në gjendje të lirë. Në këtë kontekst, fakti që kompania “Tetra”, ku Çobo është ortak me Likoskëndajn, fiton tashmë një tender publik me vlerë rreth 1 milion euro, ngre pikëpyetje mbi përzgjedhjen e operatorit ekonomik, ndërsa akuzat dhe dyshimet e ngritura në dosjen “Bankers” mbeten objekt i hetimit dhe nuk përbëjnë një vendim përfundimtar fajësie.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit