“Coperto” edhe në Ksamil, denoncohet restoranti: Më morën 600 lekë për bakshish të detyrueshëm!

“Coperto” edhe në Ksamil, denoncohet restoranti: Më…

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ngre pikëpyetje mbi një praktikë që, sipas qytetares, po aplikohet në një restorant në Ksamil.

Pushuesja ka dërguar një foto të faturës së drekës, ku përveç produkteve të konsumuara figuron edhe një zë i veçantë me emrin “coperto”, me vlerë 100 lekë për person, ose 600 lekë në total për gjashtë persona.

Sipas qytetares, pasi kërkoi shpjegim nga kamarieri se çfarë përfaqësonte kjo tarifë, mori përgjigjen se bëhej fjalë për bakshishin që klientët ishin të detyruar t’i linin stafit të shërbimit.

“Sot shkuam në Ksamil, u ulëm në një lokal për të ngrënë drekë dhe shiko pak faturën. Ajo që lexon ‘coperto’, e pyeta kamarierin çfarë është dhe më tha se është bakshishi që i detyrohesh kamarierit.”

Termi “coperto” përdoret kryesisht në Itali për një tarifë shërbimi ose tavoline, por nuk është një praktikë e parashikuar në legjislacionin shqiptar. Nëse një biznes vendos tarifa shtesë, konsumatori duhet të jetë i informuar qartë për to përpara se të kryejë porosinë, në mënyrë që të dijë paraprakisht koston që do të paguajë.

Një tjetër element që ngre pikëpyetje është fatura e paraqitur klientit. Nga fotoja duket se ai është një llogari tavoline, ku shënohet numri i tavolinës dhe artikujt e konsumuar, por nuk shfaq elementët e një fature fiskale të fiskalizuar, si kodi QR dhe identifikuesit fiskalë. Sipas legjislacionit tatimor shqiptar, për çdo pagesë bizneset kanë detyrimin të lëshojnë faturë fiskale.

Nëse pretendimi i qytetarit është i saktë dhe tarifa është paraqitur si ‘bakshish i detyrueshëm’, pa qenë e afishuar apo e komunikuar paraprakisht, kjo ngre shqetësime serioze për transparencën ndaj konsumatorëve.

JOQ Albania fton restorantin në fjalë dhe institucionet përgjegjëse të reagojnë për të sqaruar nëse kjo tarifë është e afishuar për klientët dhe nëse në këtë rast është respektuar detyrimi ligjor për lëshimin e faturës fiskale.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit