
Respekt për këta njerëz të varfër dhe naivë që bëjnë këtë sakrificë të madhe të dëgjojnë në një ditë kaq të veçantë broçkullat e kryetarit në këmbim të një “pjate të ngrohtë”.
Tashmë është bërë traditë që në këmbim të një vakti modest festiv sigurohet edhe ndonjë votë edhe bëhet numërimi i arritjeve, njëlloj si një lutje a falje përpara konsumimit të drekës.
Është ngushëllues fakti që kjo ndodh një herë në vit dhe jo më shpesh.
Djali i fiqve me garuzhdën nga njëra dorë dhe zemrën e hapur dhe të sinqertë nga dora tjetër është panorama që shohim kryesisht nëpër festa, që kanë në thelb të tyre dashurinë dhe respektin për Krijuesin.
Nën petkun e shërbëtorin të devotshëm të Zotit, këta politikanët tanë e kanë kuptuar që ndjenja e besimit zë vend në jetën e shqiptarit dhe aty përpiqen të prekin.
Por festa një ditë është, dhe nesër do të të shohim sërish teksa akuzohesh dhe përlyhesh me dishepujt tradhtarë e të gjithë së bashku duke shkelur djersën e secilit shqiptar pa dallim feje.