COVID-19 'infekton' investitorët strategjikë, 'TAP' kërkon shtyrje të afateve për...

COVID-19 ‘infekton’ investitorët strategjikë, ‘TAP’ kërkon shtyrje…

Investitorët strategjik në Shqipëri nuk kanë mbetur jashtë “infektimit” nga pasojat e COVID-19.

Pandemia duket se ka ndryshuar edhe projektet e “TAP”-it për vënien në punë të gazesjellësit, për të transportuar sasitë e gazit nga Azerbajxhani drejt Europës Perëndimore.

Kompania ka kërkuar pranë autoriteteve të shteteve ku kalon gazsjellësi Shqipëri, Greqi, Itali, të shtyjë me një vit aktivitetin e tij tregtar.

Sipas ERE-s, “TAP”-i ka kërkuar një zgjatje të datës kur infrastruktura të vendoset në dispozicion.

Kjo do të thotë, shtyrje të datës së funksionimit me një vit, deri më 31 dhjetor të 2021.

Në një vendim të publikuar nga Enti Rregullator i Energjisë, janë 5 arsye që TAP jep si shkak për vonesat që kanë sjellë shtyrjen e aktivitetit tregtar.

Në arsyetimet e kësaj shtyrjeje përfshihet edhe situata e krijuar nga pandemia, që ka përfshirë të gjithë botën.

“Pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19, në mënyrë të pashmangshme vonoi punimet për një kohë të gjatë.

Ajo shkaktoi probleme e vonesa në transportimin e materialeve dhe të punëtorëve”.

Gjithashtu, Gazsjellësi Trans Adriatik-Pipeline, thotë se, ka pasur pengesa edhe në lidhje me lejet dhe shkelje të rënda të sigurisë në Itali.

Po ashtu, “TAP” ka pasur procedura të ndryshme ligjore dhe gjyqësore, përfshirë edhe një urdhër konfiskimi, i cili shkaktoi 8 muaj vonesë.

Në Shqipëri faza e parë e gazsjellësit “TAP”, nisi në Korrik të vitit 2015 për ndërtimin e rrugëve dhe urave.

Ndërsa faza e dytë që ka të bëjë me ndërtimin e tubacionit të gazit në territorin shqiptar nisi në 2016.

Me shtyrjen e afatit “TAP”, parashikohet të fillojë operacionet dhe të kalojë gazin e parë në fillim të vitit 2021./Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit