COVID-19 në Shqipëri/ MSH: 5 pacientë humbën jetën në 24 orët e fundit, 140 raste të reja

COVID-19 në Shqipëri/ MSH: 5 pacientë humbën…

Në ndryshim nga një ditë më parë bilanci negativ i koronavirusit në vendin tonë ka ardhur në rritje.

Ministria e Shëndetësisë raportoi pak më parë se sot janë regjistruar 140 raste të reja me koronavirus në vend dhe 5 humbje jete në 24 orët e fundit.

Dr. Rovena Daja, nga Instituti i Shëndetit Publik, tha sot se, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 603 testime për të dyshuar të prekur nga Covid-19.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 101 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3480, që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”, po trajtohen 124 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid-19, 18 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar.

Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid-19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse.

Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 46-vjeçar nga Gjirokastra pa sëmundje të tjera.

Një 48-vjeçar nga Tirana, pa sëmundje të tjera, një 70-vjeçar nga Durrësi me sëmundje bashkëshoqëruese, një 81-vjeçar dhe një 84-vjeçar, të dy nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve dhe të afërmve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet me një lutje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, por të japin kontributin e tyre në këtë luftë kundër virusit duke respektuar masat e vendosura.

Të ruajnë distancimin fizik, të vendosin maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distanca, të kujdesen për higjienën personale.

Bizneset duhet të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127.

/Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit