COVID/ Spanja mbyll klubet dhe ndalon duhanin, Franca zgjeron hartën e masave

COVID/ Spanja mbyll klubet dhe ndalon duhanin,…

Rajonet spanjolle kanë nisur të zbatojnë një seri masash që synojnë frenimin e infeksionit me COVID, në një nga vendet më të prekura në Evropë.

Numri i rasteve të reja ka arritur në 116 për 100 mijë banorë, krahasuar me 41 në Francë dhe 19 në Britani.

Masat e reja që po merren në mbarë vendin përfshijnë mbylljen e klubeve të natës, bareve dhe restoranteve nga ora 1 e mëngjesit. Gjithashtu, pirja e duhanit do të ndalohet kur distancimi është i pamundur.

Në Francë, ku kuota ditore e rasteve të reja kaloi kuotën 3 mijë për të dytën ditë rresht, shëtitorja Champs Elysees në Paris iu shtua zonave ku mbajtja e maskave është me detyrim.

 “Situata është konfuze, sepse maska duhet mbajtur nga njëra lagje në tjetrën, ndaj duhet t’i dish se për cilat lagje bëhet fjalë, të dish kur ta mbash maskën e kur jo. Prandaj situata është konfuze”, thotë Naziha, banore e rrethinave të Parisit.

“Do të ishte më mirë të ishte me detyrim kudo, në mënyrë që të ishte më e thjeshtë. Kështu s’duhet të vrasësh mendjen kur duhet mbajtur e kur jo”, shprehet Lara, turiste nga lindja e Francës.

Në Itali, e cila po përballet me një rritje të rasteve pjesërisht për shkak të të rinjve, qeveria ka urdhëruar një mbyllje 3-javore të diskotekave.

Gjithashtu, ajo e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës në hapësirat publike, ku nuk është e mundur të ruhet distancimi social.

Edhe Greqia ka zgjeruar listën e vendeve, qytetarët e të cilave nuk do të lejohen të hyjnë në territorin grek.

Nga sot deri në fund të gushtit, vizitorët nga shtete të shumta anëtare të BE-së, përfshirë Belgjikën, Çekinë, Holandën, Spanjën dhe Suedinë do të detyrohen të japin rezultatet e testit COVID, që nuk duhet të jetë më i vjetër se 72 orë para mbërritjes.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit