Ç'po ndodh në SHBA? Pezullohen të gjitha nisjet e avionëve në mbarë vendin për arsye sigurie

Ç’po ndodh në SHBA? Pezullohen të gjitha…

Një situatë e pazakontë ka përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka urdhëruar ndalimin kombëtar të të gjitha nisjeve të avionëve nga aeroportet e vendit, duke përmendur rrethana të jashtëzakonshme dhe arsye sigurie.

Vendimi është marrë pas një problemi serioz në sistemet e komunikimit të kontrollit të trafikut ajror, i cili ka prekur të 22 qendrat rajonale që menaxhojnë lëvizjen e avionëve në hapësirën ajrore amerikane. Sekretari i Transportit, Sean Duffy, konfirmoi se teknikët e FAA-së po hetojnë defektin.

Në njoftimin drejtuar operatorëve ajrorë, agjencia ka kërkuar që të gjitha avionët që presin të ngrihen të qëndrojnë në tokë deri në një njoftim të mëtejshëm. Ndërkohë, fluturimet ndërkombëtare që mbërrijnë në SHBA do të menaxhohen rast pas rasti.

“Me urdhër të Qendrës së Komandës së Aviacionit Federal, të gjitha aeroportet janë nën masën e ndalimit të nisjeve. Të gjitha fluturimet në nisje duhet të qëndrojnë në tokë deri në një njoftim të mëtejshëm”, thuhet në alarm.

Problemet ishin konstatuar fillimisht në Çikago, ku FAA kishte ndërhyrë për të kufizuar trafikun ajror për shkak të vështirësive në komunikim. Megjithatë, situata rezultoi shumë më e gjerë, duke detyruar autoritetet të merrnin një masë në shkallë kombëtare.

Duhet theksuar se urdhri nuk nënkupton uljen e menjëhershme të avionëve që ndodhen në ajër. Ata mund të vazhdojnë fluturimet drejt destinacioneve të tyre, ndërsa ndalimi prek avionët që presin të nisen.

Sipas Reuters, kjo është vetëm hera e dytë që nga sulmet e 11 shtatorit 2001 që SHBA ndërmerr një ndalim kombëtar të të gjitha nisjeve të avionëve. Rasti i mëparshëm ishte në janar 2023, kur një defekt në sistemin kompjuterik të FAA-së shkaktoi pezullimin e përkohshëm të nisjeve.

Situata mbetet në zhvillim, ndërsa autoritetet amerikane po punojnë për identifikimin dhe zgjidhjen e problemit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit