Një situatë sa e çuditshme aq edhe e rrezikshme është fotografuar në rrugët e Kamzës, duke sfiduar çdo rregull të sigurisë rrugore dhe mbi të gjitha, sigurinë e fëmijëve.
Një qytetar ka dërguar pranë redaksisë një foto ku shihet një makinë e tipit “Smart”. Ajo që ka rënë menjëherë në sy dhe ka habitur kalimtarët është fakti se shoferi ka zgjedhur të improvizojë një “vend për pasagjerë” pikërisht në bagazhin e ngushtë të makinës, ku ka futur dy fëmijë të vegjël.
Mesazhi i qytetarit: “Pershendetje JOQ, Cudira nga Kamza.“
Siç shihet qartë në foto, dy fëmijët e vegjël qëndrojnë të ulur në pjesën e pasme të mjetit, totalisht të pambrojtur dhe pa asnjë element sigurie si rripi apo ndenjësja e posaçme. Makina “Smart” njihet për përmasat e saj tejet të vogla dhe projektimi i saj nuk lejon pasagjerë në atë pjesë, duke e kthyer këtë udhëtim në një rrezik serioz nëse mjeti do të pësonte qoftë edhe një goditje të lehtë nga pas.
Mbetet e pakuptueshme se si prindërit apo drejtuesi i mjetit ndërmarrin rreziqe të tilla në mes të trafikut urban, duke vënë në rrezik jetën e më të vegjëlve për të kursyer një rrugë apo për komoditet.
