Kursi i këmbimit të monedhës vendase me atë evropiane po vijon tendencën rënëse edhe gjatë kësaj jave, duke shënuar një tjetër rekord negativ historik.
Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, ditën e sotme një Euro u këmbye me 90.74 lekë, që përfaqëson nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë në tregun tonë valutor.

Rënia përgjatë vitit dhe krahasimi me vitin e kaluar
Monedha evropiane ka pësuar një zhvlerësim të vazhdueshëm ndaj lekut gjatë muajve të fundit:
- Që nga fillimi i vitit: Kursi Euro/Lek ka shënuar një rënie prej 4.5%.
- Krahasuar me një vit më parë: Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rënia totale e kursit arrin në 4.9%.
Ndërhyrja masive e Bankës së Shqipërisë
Për të frenuar e ngadalësuar këtë tendencë të fortë zhvlerësuese, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të jetë mjaft aktive në tregun valutor përmes blerjes së rregullt të monedhës evropiane.
Përpjekjet e Bankës Qendrore kanë arritur nivele rekord, ku vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit janë blerë rreth 140 milionë euro, sasia më e madhe e blerë ndonjëherë nga institucioni monetar për këtë periudhë të vitit. Megjithatë, pavarësisht këtyre ndërhyrjeve kapitale, leku vazhdon të forcohet në mënyrë konstante ndaj Euros, një situatë kjo mjaft e çuditshme për çdo shpjegim ekonomik, aq më tepër në një kohë që vendi është përfshirë në protesta të dhunshme prej rreth një jave.