Çudirat e Niko Peleshit, 2.2 miliardë tender kartelit të kompanive të sigurimit

Çudirat e Niko Peleshit, 2.2 miliardë tender…

Ju kujtohet Niko Peleshi? Ai burri “i urtë” që nuk para ndihej shumë së fundmi në TV? E pra, ndër të tjera nëse nuk e dini, Niko është gjithashtu edhe Ministër i Mbrojtjes. Si i tillë, ai organizon dhe jep tendera në emër të institucionit që ai drejton. Njëri prej tyre është ai që do t’ju paraqesim sot. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-94795-05-06-2021 dhe me objekt “Sigurim (Kasko/Vandalizëm, TPL, Pasagjerë) i mjeteve ajrore”, për nevoja të Komandës së Forcës Ajrore.

Ky tender ngjan mjaft i çuditshëm, pasi rezulton se kemi të bëjmë me një organizim të dyshimtë në formë karteli. Karteli është një organizim i krijuar nga një marrëveshje midis një grupi prodhuesish të një malli ose shërbimi për të rregulluar furnizimin me qëllim rregullimin ose manipulimin e çmimeve. Me fjalë të tjera, një kartel është një koleksion i bizneseve të pavarura që veprojnë së bashku sikur të ishin një prodhues i vetëm dhe kështu mund të rregullojnë çmimet për mallrat që ata prodhojnë dhe shërbimet që ata japin, pa konkurrencë. Pra çfarë ka ndodhur? Firmat pjesëmarrëse nuk kanë konkurruar më vetë ashtu siç është normale në një garë, por janë bashkuar të gjitha në një bashkim operatorësh.

Në këtë mënyrë janë shpallur fituese të gjitha dhe pjesëmarrës të tjerë veç tyre nuk ka patur. Kështu shihet se në garë ka marrë pjesë vetëm bashkimi i operatorëve “ANSIG”, “SIGAL UNIQA Group AUSTRIA”, “SIGMA INTERALBANIAN VIENNA INSURANCE GROUP”, “INSIG SH.A” dhe “EUROSIG SHA”, duke operuar në fakt si një konkurrent i vetëm. Vlera e ofruar prej tyre është 185,900,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Duke qenë edhe ofrues të vetëm, natyrisht ky bashkim i madh firmash ka rezultuar edhe fitues. Sigurisht duke patur “de facto” një mungesë totale të konkurrencës, kjo pasqyrohet mjaft qartë në faktin se vlera e shpallur fituese është thuajse e njëjtë me fondin limit të tenderit, përkatësisht sa 99.96% e tij.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit